Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se “qeveri do të ketë”, edhe nëse qeveria e re që pritet ta prezantojë pas pak, nuk do t’i marrë 61 votat e nevojshme në Kuvend.
Ai iu drejtua deputetëve duke theksuar se qeverinë në detyrë nuk mund ta mbikëqyrin dhe as t’i kërkojnë llogari.
“Për më tepër, përderisa nuk votohet qeveria e re, kjo nënkupton zgjatje e mandatit të qeverisë në detyrë. Pra, qeveri do të ketë, vetëm se deputetët e kanë të pamundur ta mbikëqyrin dhe të kërkojnë llogari nga një qeveri në detyrë, të cilën nuk e kanë votuar”, tha ai.
Kurti theksoi se çdo ditë pa qeveri të re është “ditë humbjeje për zhvillimin, për qytetarin, për shtetin”, ndërsa, pa përmendur ndonjë marrëveshje, i ftoi deputetët që ta votojnë qeverinë që do ta prezantojë ai.
Ai gjithashtu përmendi “punët e mira” që, sipas tij, i ka bërë qeveria e udhëhequr prej tij, dhe u kërkoi deputetëve t’ua mundësojnë që t’i “vazhdojnë punët e mira”.

