E para e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani ndodhet në Washington, gjersa ka mbajtur fjalim si e ftuar speciale në Lutjet Nacionale të Mëngjesit, shkruan Gazeta Demos.
![](https://shqiptarmezemer.com/wp-content/uploads/2025/02/FB_IMG_1738874967080.jpg)
Presidentja Osmani, gjatë fjalimit të saj rikujtoi rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe rolin jetik të Shteteve të Bashkuara në shpëtimin e popullit të saj nga gjenocidi.
![](https://shqiptarmezemer.com/wp-content/uploads/2025/02/FB_IMG_1738450557453-1024x1024.jpg)
Ajo ndau përvojën e saj personale si një fëmijë lufte, duke theksuar se besimi dhe shpresa e kanë mbajtur të fortë popullin e Kosovës në momentet më të errëta.
![](https://shqiptarmezemer.com/wp-content/uploads/2025/02/FB_IMG_1738450591628.jpg)
“Zoti na e dërgoi Amerikën për të na shpëtuar”, tha Osmani, duke falënderuar SHBA-të për ndërhyrjen vendimtare në vitin 1999.
![](https://shqiptarmezemer.com/wp-content/uploads/2025/02/FB_IMG_1738450632707-1024x1000.jpg)
Osmani vlerësoi gjithashtu përkushtimin e Kosovës ndaj humanizmit, e cila përmendi ndihmën e dhënë për refugjatët afganë dhe ukrainas.
Në përfundim, presidentja ritheksoi përkushtimin e Kosovës për liri, drejtësi dhe solidaritet me vendet demokratike
![](https://shqiptarmezemer.com/wp-content/uploads/2025/02/Messenger_creation_23C90613-DB15-449A-A66D-E51814AD2794.jpeg)
Komplet fjalimi i presidentes Osmani:
Kanë qenë dy ditë kaq frymëzuese. Jam këtu në emër të një kombi mirënjohës, Republikës së Kosovës. Kam nderin të përfaqësoj një popull, rruga e të cilit drejt lirisë dhe paqes ka qenë gjithmonë e udhëhequr nga besimi. Dhe është veçanërisht domethënëse të flas për këtë rrugëtim në një tubim, i cili që nga themelimi i tij në vitin 1953 ka luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e dialogut dhe unitetit dhe është bërë me të vërtetë një dëshmi e vlerave të përbashkëta që tejkalojnë dallimet politike, kombëtare, ideologjike apo edhe fetare. Por, ndërsa sot po ju flas si presidente e vendit tim, rrugëtimi im nuk ishte tipik për shumicën e politikanëve në mbarë botën. U rrita si një fëmijë lufte, në një vend që u shkatërrua deri në themel nga një regjim i verbuar nga urrejtja. Të jetosh gjatë një lufte, të bëhesh refugjat, të humbasësh gjithçka që ti dhe familja jote kishit ndërtuar gjatë jetës, dhe të përballesh me vdekjen në çdo sekond, të formëson për gjithë jetën. Netët e fëmijërisë sime nuk ishin të mbushura me përralla para gjumit apo grindje të lehta mes vëllezërve e motrave, por me jehonën e vazhdueshme të luftës. Ki besim. Ki besim. Sepse Zoti është streha dhe forca jonë. Nëna dhe babai im e përsërisnin këtë vazhdimisht, edhe në momentet më të vështira, edhe kur u bëmë viktima të një regjimi gjenocidal. Nën dritën e zbehtë të shtëpisë sonë, ne mblidheshim rreth televizorit duke dëgjuar, duke shpresuar, duke besuar. Dhe pastaj, një ditë, ajo shtëpi dhe shtëpitë e të gjithë popullit tim u shkrumbuan, u reduktuan në hi nga forcat gjenocidale të Millosheviçit. Megjithatë, ato flakë që dogjën shtëpinë tonë, librat tanë, lodrat tona, fotografitë tona dhe gjithçka që zotëronim, nuk na morën shpresën dhe besimin. Sepse edhe në momentet më të errëta, ne u kapëm pas një të vërtete themelore: Zoti është i madh dhe Ai do të na udhëheqë dhe do të na ndriçojë rrugën drejt lirisë. Ne i lutëm Zotit për një mrekulli. Ne i lutëm Zotit të na shpëtonte. Dhe Zoti na e dërgoi Amerikën. Zoti na e dërgoi Amerikën. Jeta jonë, jeta e popullit të Kosovës, u shpëtua nga burrat dhe gratë e guximshme në uniformën e Shteteve të Bashkuara, përkrah çlirimtarëve tanë dhe kombeve të tjera në mbarë botën. Kombe që nuk i mbyllën sytë ndaj vuajtjes sonë.
Kombe që nuk i kthyen shpinën të shtypurve, por vendosën të ndjekin mësimet e Zotit për të ndihmuar të shtypurit. Ndihmoni ata që nuk kanë mbrojtje. Ndihmoni të dobëtit dhe të varfrit. Shpëtoni ata. Çlironi ata nga shtypja dhe dhuna. E shkuara jonë, sado e dhimbshme, nuk duhet të harrohet kurrë. Jo si një justifikim për hakmarrje, por si një kujtesë dhe një burim frymëzimi për të luftuar për të mirën dhe për drejtësinë, dhe për të ndihmuar gjithmonë ata që kanë nevojë. Shpirti i Kosovës është i rrënjosur në qëndrueshmëri, shpresë dhe mbi të gjitha, besim. Për shekuj me radhë, mes pushtimeve, brutalitetit dhe vështirësive, ne kemi gjetur forcë në besimin tonë, në përkushtimin tonë ndaj drejtësisë dhe në ndjenjën tonë të pathyeshme të identitetit. Besimi nuk ishte kurrë vetëm adhurim. Ai ishte qëndrueshmëri. Ishte edhe besimi ynë në njerëzimin. Kur bota, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, erdhi për të na shpëtuar dhe ndaloi gjenocidin në Kosovë, kjo përforcoi besimin tonë, jo vetëm tek Zoti, por edhe tek të gjithë fëmijët e Zotit që na erdhën në ndihmë. Ne nuk do ta harrojmë kurrë se liria e Kosovës u mbështet nga zëra në Shtetet e Bashkuara, shumica e tyre të udhëhequr nga besimi. Nuk do ta harrojmë kurrë numrin e pafund të lutjeve nga anëtarët e Kongresit çdo mëngjes të së enjtes në vitin 1999. Nuk do t’i harrojmë kurrë lutjet në çdo shtëpi të Zotit, në çdo kishë, çdo sinagogë, çdo xhami, kudo në Shtetet e Bashkuara, ku njerëzit u mblodhën dhe u lutën për fëmijët e Kosovës – për fëmijë si unë. Ju më dhatë mua, dikur një fëmijë refugjat, një mundësi për të ardhur këtu, ku ju lutët për ne, dhe për t’u kthyer pas 25 vjetësh. Faleminderit që zgjodhët njerëzimin. Faleminderit që na shpëtuat jetën. Faleminderit që u ngritët për lirinë si një testament i idesë se besimi tek njerëzimi na detyron të veprojmë përballë vuajtjes dhe të pamundurës. Amerika udhëhoqi rrugën dhe bota demokratike ndoqi, duke mbështetur lirinë e Kosovës. Dhe në këmbim, Kosova do të jetë gjithmonë aleati juaj i palëkundur. Ne përfaqësojmë kombin e Nënë Terezës, e cila thoshte: “Jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.” Pavarësisht sfidave tona, ne kemi hapur dyert tona për ata që kanë nevojë, duke u bërë vendi i parë që pranoi refugjatët afganë dhe duke ndihmuar refugjatët ukrainas Këto nuk janë vetëm kërcënime abstrakte, por kërcënime reale ndaj themelëve të lirisë dhe paqes që kemi ndërtuar me mund. Cila është zgjedhja jonë? Në Kosovë, ne kemi bërë zgjedhjen tonë. Ne zgjedhim të mos dorëzohemi. Ne zgjedhim të qëndrojmë për të drejtat dhe dinjitetin e popullit tonë. Ne zgjedhim lirinë. Dhe mbi të gjitha, zgjedhim njerëzimin dhe besimin. Dhe historia ka treguar se asgjë nuk mund të ndalojë një popull, rruga e të cilit drejt lirisë është ndriçuar dhe udhëhequr nga besimi. Faleminderit shumë!