Spektakli më i madh i humorit në historinë e skenave dhe televizionit shqiptar rikthehet me sezonin e tij të 45-të, duke sjellë edhe më shumë të qeshura.
Me mbi 1,000 shfaqje përgjatë dekadave dhe mijëra e mijëra orësh të mbushura me të qeshura dhe duartrokitje, sezoni i 45-të ka rikthyer simbolin ikonik të semaforit portokalli, i cili për vite me radhë na ka mbajtur në dilemë nëse duhet të ndalemi apo të ecim përpara. Duke trajtuar çështjet aktuale sociale me fraza të mprehta dhe ironi delikate, shfaqja e humorit vë ballë për ballë njerëz që ndajnë shqetësime të përditshme. Aktorëve të njohur të humorit shqiptar do t’u bashkohen emra dhe personazhe të rinj të cilët, përmes shakave dhe historive të tyre, do të bëhen pjesë e gëzueshme e çdo familjeje shqiptare si në vend ashtu edhe në mbarë botën. Në skenën dhe ekranin e Top Channel, e qeshura zë vend qendror!
Vetëm pak çaste më parë, faqja zyrtare në Instagram e Portokalli konfirmoi se në shfaqjen e kësaj jave do të jetë Monika Kryemadhi, opinioniste e Big Brother VIP 5. Nxitoni të blini biletat tuaja në studiot e Top Media Kashar ose në Arena Center, ose online në tickets.top-media.al për shfaqjen e parë të këtij sezoni, më 25 shkurt në orën 19:00, në studiot e Top Channel në Kashar.



