Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit po vazhdon veprimet e intensifikuara për kapjen e personave të dyshuar dhe atyre të dënuar për vepra penale.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Enis Pllana, ka konfirmuar për Insajderin se sonte, njësitet e stacionit policor Veriu në Prishtinë kanë arritur të arrestojnë një person të kërkuar nga drejtësia.
“Bëhet fjalë për T.B., mashkull 28-vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, i dënuar me 2 vite e 2 muaj burgim për veprën penale ‘Blerje, posedim dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve’, si dhe në kërkim si i dyshuar për ‘Dhunë në familje’,” ka thënë Pllana.
Ai ka shtuar se gjatë operacionit policor, tek i arrestuari është gjetur edhe një sasi e dyshuar e substancave narkotike.
Pas arrestimit, i dyshuari është dërguar për vuajtje të dënimit.

