Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë dy persona të dyshuar për vrasjen e kryer në Gjilan të ndodhur më 7 nëntor, 2024.
Siç thuhet në njoftimin e policisë, Njësia e Hetimeve të Përgjithshme nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, në vazhdën e veprimeve hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit të vrasjes dhe të dokumentimit me prova ligjore, ka grumbulluar dhe analizuar dhjetëra materiale filmike të kamerave të sigurisë, intervista, zbatimit të masave të veçanta hetimore, kontrolle të vazhdueshme të disa lokacioneve për të cilat paraprakisht siguroheshin informata se janë duke u shfrytëzuar për strehim (fshehje) nga ana e të dyshuarave.
“Veprime këto të vazhdueshme hetimore intensive besohet se i kanë sjellë të dyshuarit në presion dhe situatë të papërballueshme me ç‘rast të njëjtit sot më datën 12.11.2024 vullnetarisht kanë pranuar të dorëzohen në këtë njësi V.S. (viti i lindjes 1998, shtetas i Kosovës) dhe F.M. (viti i lindjes 1998, shtetas i Kosovës)”, ka njoftuar Policia.
Policia thotë se të njëjtit dyshohet se kanë qenë të përfshirë në rastin e vrasjes së ndodhur me datën 07.11.2024 në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit” në Gjilan në të cilin rast ka mbetur i vrarë nga arma e zjarrit viktima S.O. i vitit të lindjes 1987.
Njërit nga të dyshuarve thuhet se i është konfiskuar një armë zjarri “Pistoletë” e kalibrit 9mm me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale vrasje.
Të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar në qendrën e mbajtjes për 48 orë