back to top
January, 4, 2025
spot_img
BallinaLajmeLajme nga vendi2024-ta me zhvillime dramatike në Speciale në gjyqin ndaj krerëve të UÇK-së

2024-ta me zhvillime dramatike në Speciale në gjyqin ndaj krerëve të UÇK-së

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, që nga krijimi i tyre janë shoqëruar me zhvillime dramatike brenda saj. Por viti 2024, ka shtuar dinamikën dhe dramatacitetin sa i përket zhvillimeve e deklaratave të dëshmitarëve, por edhe deklaratave të atyre që janë cak i kësaj gjykate, shkruan GazetaDemos. 

Procesi gjyqësor gjatë tërë rrjedhës së tij edhe këtë vit u shoqërua me paqartësi sa i përket dëshmitarëve. Një nga disa raste është edhe i një dëshmitari të mbrojtur, kur avokati Ben Emmerson i kërkoi sqarime ZPS-së, se pse ai është i mbrojtur, ngase sipas tij ai e ka falsifikuar dëshminë.

Një tjetër dëshmi kontraverse dhe e pakuptimtë ishte edhe ajo e një dëshmitari serb, e i cili ishte dëshmitar i MUP-it të Serbisë, kur dihet mirëfilli se është vet MUP-i serb ai që gjatë tërë luftës dhe pasluftës ka fabrikuar dëshmi në dëm të UÇK-së dhe krerëve të saj.

Dëshmi me relevancë dhe peshë të madhe u cilësua ajo e ish diplomatit amerikan Shaun Byrnes, i cili në dëshminë e tij tha se aso kohe UÇK-ja nuk kishte besim te presidenti Rugova.

Një nga komandantët e UÇK-së që ka dëshmuar në Speciale është edhe komandanti Ramiz Qeriqi, i cili në dëshminë e tij pos tjerash ka folur edhe për mosmarrëveshjet që kishte pasur gjatë luftës me ish-komandantin Shukri Buja dhe takimin me Thaçin e Veselin për këtë rast.

Derisa, gjatë dëshmisë së ish-diplomatit austriak, Jan Kickert, Prokuroria paraqiti një foto ku pjesa ku dukej Ibrahim Rugova ishte gërvishur, gjë e cila bëri që avokati të reagojë duke e quajtur foton jo relevante dhe paragjykuese.

Një tjetër dëshmi interesante dhe që zgjoi reagime në opinion ishte edhe ajo e gazetarit Nuhi Bytyqi, i cili pohoi para tribunalit se ishte pikërisht ish Presidenti Ibrahim Rugova ai që kishte deklaruar se nuk e dinte kush ishte UÇK-ja dhe se e njëjta mund të ishte dorë e zgjatur e Serbisë.

Ndërkaq, Kurtesh Fondaj në dëshminë e tij hodhi dyshime mbi një dokument që pretendohej se ishte hartuar nga ish-Komandanti i UÇK-së Fatmir Limaj.

Ish-shefi i Shtabit të UÇK-së Bislim Zyrapi ka hedhur dritë mbi një deklaratë të shpërndarë në kohë lufte se UÇK-ja ishte e gatshme ta sulmonte Prishtinën, duke e quajtur këtë deklaratë si propagandë e cila synonte ta paraqiste UÇK-në më të organizuar se sa ishte.

Krahas gjykimit të krerëve të UÇK-së në Hagë mori epilog edhe procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës, i cili u dënua me 18 vite burgim.

Përderisa Pjetër Shala mori dënimin nga Specialja e Hagës, në gjykimin e krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Hagës do të rritej dramaticiteti kur në bankën e dëshmitarëve do të paraqitej Imer Imeri, i cili do të hidhe një mal me akuza.

Vazhdon dëshmia e Imer Imerit në procesin gjyqësor ndaj Thaçit e të tjerëve në Specialen e Hagës

Ndërkaq, dëshmitari Halim Berisha, do të hidhte dritë mbi momentin dhe arsyet e hyrjes së UÇK-së në Prishtinë, në momentet e para të çlirimit.

Një tjetër dëshmitar ishte edhe Demush Krasniqi, i cili do të dëshmonte mbi një nga ngjarjet më të përfolura të pasluftës e që ishte ndalimi i Cen Deskut nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë vitit 1998-të, por Krasniqi nuk do ta përfundonte dëshminë e tij pa i përshëndetur bashkëluftëtarët e tij, krerët e UÇK-së në bankën e të akuzuarve.

Tjetër ngjarje shumë e përfolur dhe mbi të cilën është spekuluar përgjatë luftës e pasluftës është edhe rasti i Fetah Rudit, për të cilin rast ishte ftuar të dëshmojë Ahmet Rrahmanaj, porse rasti i Rudit kishte ndodhur pasi që Rrahmanaj kishte lënë UÇK-në e kishte shkuar në Slloveni.

Rrahamanj në Hagë do të dëshmonte edhe për deklaratën e Krasniqit për Jaku Kastratin duke pohuar se Jakup Krasniqi kurrë nuk e kishte quajtur Kastratin kolaboracionist.

Dramaticiteti do të rritej në Speciale e procesi do të merrte dianamikë tjetër në momentin që në bankën e dëshmitarëve do të shfaqej Fadil Geci, i cili pos shumë akuzash tjera do të deklaronte se ata që shkruan Komunikatën 59 nuk kanë gjak shqiptari.

Geci nga banka e dëshmitarit do lëshonte akuza të rënda në drejtim të Hashim Thaçit duke e akuzuar se kishte shkruar ai Komunikatën 59 dhe duke e quajtur atë si djalin më të lig të Drenicës.

Fadil Geci do ta akuzonte rënd edhe Jakup Krasniqin,por në përfundim të dëshmisë së tij avokati i Krasniqit do t’i thoshte se ai në dëshminë e dhënë ka bërë deklarata politike dhe se kishte thënë të pavërteta politike.

Rast që bëri bujë në opinionin publik të Kosovës është edhe dëshmia e Nuredin Ibishit, i cili pos tjerash u pyet edhe për tashmë të arratisurin nga drejtësia Enver Sekiraqën, duke provuar kredibilitetin e tij para gjykatës.

Komandant Leka gjatë dëshmisë së tij është përplasur me mbrojtësin e viktimave lidhur me një të ndaluar serb nga UÇK-ja i cili kishte sulmuar pozicionet e kësaj të fundit në Potok.

“Qysh deshte me pritë ne një person që na sulmon”, kishte thënë Ibishi në Speciale.

Dëshmi me peshë dhe që tregon qartë sulmin propagandistik mi strukturën komanduese të UÇK-së nga Serbia, ka dhënë edhe ish-komandanti i UÇK-së Shukri Buja.

Dëshmitar i Speciales ishte edhe ish-shefi Zbulim Kundër Zbulimit të UÇK-së, Halil Çadraku, i cili pos që dëshmoi mbi funksionimin e strukturës së ZKZ-së, i pyetur për FARK-un tha se edhe sot mendon që ata ishin dhe janë sobotues të lindur.

Çadraku në Hagë ka folur edhe për rënien e ish Komandantit Mujë Krasniqi, dhe thashethemet se Komandant Drini kishte gisht në rënien e tij.

Dekaratë e tij që shkaktoi reagime e polemika në vend ishte edhe edhe ajo se Presidenti Ibrahim Rugova që bëri marrëveshje me Millosheviqin dhe Millutinoviqin në kohën e luftës, kishte qëllime dashakeqe.

Me përfundimin e dëshmisë së Halil Çadrakut, ZPS-ja njoftoi se edhe hetimet ndaj tij ishin mbyllur.

Një nga dëshmitë më të rëndësishme në këtë proces gjyqsor ishte edhe dëshmia e ish anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Sokol Bashota, i cili në dëshminë e tij pos tjerash ka treguar se si i kishte kërkuar Sean Burnsit që të kërkonte nga serbët lirimin e Ukshin Hotit, i cili edhe sot e kësaj dite mbetet i pagjetur.

Zhvillim dramatik e që ngriti në këmbë Kosovën dhe shkaktoi polemika e debate të shumta në Kosovë, ishte edhe reagimi i ish presidentit Hashim Thaçi, gjatë dëshmisë së Sokol Bashotës në Hagë.

Krahas procesit gjyqësor ndaj Thaçit Veselit , Krasniqit e Selimit, së fundmi Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka nggritur aktakuzë të re ndaj Hashim Thaçit, Hajredin Kuqit, Fadil Fazliut, Bashkim Smakajt e Isni Kilajt. Nëparaqitjen e parë para gjykatës presidentt Thaçi deklaroi se ai nuk paraqet rrezik politik për askënd në Kosovë, deklaratë kjo që edhe sot e kësaj dite ka mbetur e pa zbërthyer mbi atë se cila është porosia e tij për publikun.

Ndërsa Kuçi e Kilaj u deklaruan të pafajshëm për akuzat që i rëndojnë.

“Jam i pafajshëm, aktakuza ma prek dinjitetin e reputacionin, besoj në Zot e Drejtësi”, ishte shprehur Kuçi.

Ndërsa në seancën e dytë dëgjimore Hashim Thaçi ka thënë se do të deklarohet më vonë për fajësinë, por sërish ka deklaruar se nuk paraqet rrezik politik dhe se nuk ka ambicie as për pozitën e kryeministrit dhe as të presidentit. 

Mbase ai po jep shenjë se dikush nga Kosova po ndikon politikisht në ngritjen e akuzave të reja të ngritura kundër tij./ Aurona Zogaj

ARTIKUJ TË NGJASHËM

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

MË TË SHIKUARAT

Komentet e fundit