Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, vlerësoi se rendi botërorë ka rënë pas operacionit amerikan për arrestimin e mikut të tij në Venezuelë, Nikolas Maduro.
Vuçiq, mes tjerash, shprehu shqetësim të madh për armatosjen e vazhdueshme të Kosovës, e cila sipas tij shkel Rezolutën 1244 të OKB-së, shkruan N1, transmeton Dukagjini.
Ai shtoi se, edhe pse rezoluta mbetet ligjërisht në fuqi, ajo është “de fakto e pezulluar” nga fuqitë kryesore perëndimore dhe aktorë rajonalë si Turqia.
“Pra, ju e shihni që nuk ka parime. Kjo është arsyeja pse ne jemi veçanërisht të shqetësuar për armatimin e mëtejshëm të Prishtinës, në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244, e cila është pezulluar de facto, por jo de jure, nga fuqitë e mëdha, siç është Turqia. Ato po e armatosin me shpejtësi Prishtinën. Një kërcënim i veçantë për sigurinë e Serbisë është aleanca ose bashkimi i sapokrijuar i Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, i cili po zhvillohet në një fushë të gjerë që përfshin zhvillimin e përbashkët të sistemeve komplekse luftarake nga automjetet katër me katër deri te armët dhe mjetet më të fuqishme”, tha Vuçiq.
Tutje, ai shtoi se Serbia po e monitoron nga afër këtë dhe po përgatitet për mbrojtje kundër atyre që pretendoi se tani po bëjnë “kërcënime të hapura” ndaj Serbisë.
“Duam t’ju themi se Republika e Serbisë po e ndjek këtë me kujdes dhe ne jo vetëm që po e ndjekim, por po përgatitemi edhe për t’u mbrojtur kundër atyre që, as fshehurazi, por hapur kërcënojnë vendin tonë. Ne besojmë se forca jonë do të jetë një pengesë e mjaftueshme”, theksoi Vuçiq.
Kujtojmë se në ditën e parë të 2026-ës, ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, në një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjinin, deklaroi se niveli i sigurisë në Kosovë është në nivelin më të lartë historik, falë ndërtimit sistematik të kapaciteteve mbrojtëse dhe armatosjes moderne të FSK-së në koordinim me SHBA-në dhe partnerët e NATO-s.
Një nga pikat kyçe të intervistës ishte edhe armatimi i FSK-së, ku Mehaj konfirmoi blerjen e mjeteve ajrore pa pilot “Bajraktar” dhe “Puma”, sistemeve kundërtanke OMTAS, si dhe pajisje të tjera të avancuara nga Turqia dhe shtete partnere.
“Kosova është më e fortë ushtarakisht sesa perceptohet zakonisht në opinion. Për më tepër, vendi ka kapacitete të jashtëzakonshme ushtarake, të cilat janë vlerësuar edhe nga shtete të tjera të rajonit. Disa prej tyre, edhe pse pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut para nesh, kanë treguar interes dhe respekt për zhvillimin dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Mehaj.