Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vdekjen e një 44-vjeçari në vendin e punës në rrugën “17 Shkurti” në Skenderaj të martën.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se tashmë i ndjeri është gjendur I shtrirë në vendin e rrugës, ku mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e tij.
“Rreth orës 16:00, policia në Skenderaj është njoftuar se një person kishte probleme shëndetësore dhe gjendej i shtrirë në vendin e punës në rrugën ,,17 Shkurti” në Skenderaj. Është njoftuar emergjenca mjekësore dhe në vendin e ngjarjes kishte shkuar një ekip mjekësore dhe njësitë policore. Mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e personit në vendin e ngjarjes. Personi pa shenja jete është i moshës 44 vjeçare”, thuhet në njoftim.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Njësisë Rajonale të Hetimeve dhe të krim teknikës e poashtu edhe inspektorët e punës të cilët kanë kryer veprimet hetimore dhe procedurat e nevojshme ligjore”.
“Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ndërsa iniciohet rasti ,,Vdekje e dyshimtë” dhe hetimet do të vazhdojnë për ndriçimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”, përfundon njoftimi.