Dy muaj më parë, 42-vjeçari Fahri Ademi u plagos nga të shtënat me armë zjarri gjatë një grabitje të armatosur në Veternik.

Pas disa ditësh trajtimi në Klinikën Intensive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ademi u nis për në Turqi.

Plagët e rënda që mori Ademi, derisa u ballafaqua me grabitësin serb, ishin të rënda derisa e lanë të palëvizshëm.
IndeksOnline ka kontaktuar familjarët e Ademit, për të mësuar më shumë rreth gjendjes së tij shëndetësore.
“Ende është i palëvizshëm. Edhe dy javë ka me qëndru në Turqi pastaj kthehet në Kosovë. Njërën këmbë po e ndjen, kurse tjetrën jo. Sipas doktorëve atje, ka gjasa që Fahriu të ecë përsëri. Ata i kanë rekomanduar të vazhdojë me ushtrime. Gjendja e tij emocionale nuk është e mirë, është lodh shumë, është “shkri” si njeri”, ka thënë një familjarë i Ademit për IndeksOnline.
Plagë të rënda dhe të papërballueshme mori edhe vetë grabitësi serb, Millosh Vukojeviq, i cili ndërroi jetë në Klinikën Intenzive në QKUK, pak ditë pasi ndodhi rasti.
Vukojeviq, kishte edhe të kaluar kriminale ku vitin e kaluar ishte i arrestuar për kultivim të bimëve narkotike.