Një familje shqiptare me katër fëmijë, përfshirë edhe një foshnjë 20-muajshe që vuan nga probleme shëndetësore, prej më shumë se një jave po jeton në rrugët e qytetit të Montpeljesë në Francë. Prindërit, të larguar nga Shqipëria, ende nuk kanë arritur të sigurojnë strehim emergjent, pavarësisht thirrjeve të përditshme në numrin 115.
Familja po kalon netët në sheshin përballë Bashkisë së Montpeljesë, e ekspozuar ndaj kushteve të vështira dhe temperaturave të ulëta. Mbrëmjen e së hënës, shoqatat “Un toit, un avenir” dhe “Solidarité Partagée” organizuan një tubim solidariteti para Bashkisë, ku morën pjesë rreth 60 persona.
Presidenti i shoqatës “Solidarité Partagée” e cilësoi situatën të papranueshme, duke theksuar se fëmijët po sëmuren nga të ftohtit dhe se raste të ngjashme kanë mbetur pa zgjidhje për muaj të tërë. Ai akuzoi prefekturën se nuk po përmbush detyrimet ligjore për strehimin emergjent të familjeve në nevojë.
Nga ana tjetër, sipas mediave franceze, prefektura e konsideron familjen si jo prioritare për strehim emergjent për shkak të statusit të parregullt administrativ. Ky qëndrim është mbështetur edhe nga Gjykata Administrative e Montpeljesë, e cila më 8 dhjetor rrëzoi kërkesën e familjes për strehim.
Ndërkohë, një tjetër tubim solidariteti është paralajmëruar për të dielën, më 21 dhjetor, në orën 14:00, sërish përpara Bashkisë së Montpeljesë.

