38-vjeçari i cili u gjet i pajetë mesditën e djeshme pranë Gjirit të Barxhos në Ksamil është Florian Kofina, banues në Tiranë. Nga ekspertiza paraprake mjeko-ligjore mësohet se 38-vjeçari ka gjetur vdekjen si pasojë e mbytjes.
Dyshohet se paraprakisht viktima ka pësuar arrest kardiak teksa bënte zhytje në plazhin e njohur si plazhi i shkëmbinjve dhe më pas është mbytur.
Personat, të cilët kanë gjetur fillimisht trupin e pajetë të 38-vjeçarit i kanë thënë policisë se dyshonin të jetë goditur me jet ski, pasi në distancë janë parë disa mjete lundruese.
Për këtë arsye, grupi hetimor nën drejtimin e prokurorit të çështjes, nisi punën duke kryer veprime në vendin e ngjarjes, për të parë nëse qëndrojnë apo jo dëshmitë.