Policia belge është në kërkim të personave të armatosur pas të shtënave të raportuara jashtë një stacioni metroje në qendër të Brukselit.
Pamjet e CCTV tregojnë të paktën dy burra që ishin me kapuç dhe duke mbajtur armë kallashnikov në hyrje të stacionit Clémenceau në kryeqytetin belg herët të mërkurën.
Video nga vendi i ngjarjes shfaqi një shkëmbim zjarri rreth orës 06:15 me orën lokale, shkruan BBC.
Sarah Frederickx, zëdhënëse e policisë së Brukselit, tha se të dyshuarit ikën në stacionin e metrosë dhe mund të jenë ende në tunelet e metrosë.
Zëdhënësja tha se nuk pati të lënduar nga të shtënat. Si policia lokale ashtu edhe policia federale hekurudhore po kontrollojnë zonën.
Policia po kërkon “një grup të vogël njerëzish, ndoshta dy ose tre individë”, tha Frederickx, duke shtuar se ata mund të jenë ende të armatosur dhe se policia nuk donte të rrezikonte.
Stacioni Clémenceau është mbyllur, si dhe stacioni aty pranë Bruksel-Midi, i cili shërben gjithashtu si terminal për trenat e Eurostar.
Dy linjat e metrosë që shërbejnë në qendër të Brukselit janë pezulluar gjithashtu, nga Gare de l’Ouest në Trône, që është afër Parlamentit Europian.
Raportet në mediat belge sugjerojnë se ngjarjet mund të kenë qenë të lidhura me trafikun e drogës. Zona përreth Bruksel-Midi ka pasur prej kohësh një reputacion për dhunë dhe krim.
Mijëra udhëtarë u prekën nga incidenti, i cili ndodhi gjatë orës së pikut të mëngjesit. Nuk ka asnjë tregues se kur mund të rifillojë shërbimi normal.