back to top
December, 22, 2024
spot_img
BallinaLajmeLajme nga vendiStatovci, thotë se “opozita i do dhe nuk i do zgjedhjet”

Statovci, thotë se “opozita i do dhe nuk i do zgjedhjet”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas darkës së punës me kreun e PDK-së, të martën një të tillë e pati me bashkëdrejtuesit e partnerit të tij në qeverisje “GUXO”, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Faton Pecin. Temë diskutimi me dy vartësit e tij në Qeveri, sipas njoftimit, ishin kërkesat dhe qëndrimet e opozitës për zgjedhje. Nga GUXO, për gazetën online Reporteri.net, thanë se edhe janë të gatshëm për zgjedhje, por shfaqin disa rezerva e duan konsensus të përgjithshëm. Sipas tyre kjo varet edhe nga interesi i qytetarëve.

Deputetja e GUXO, Jeta Statovci, thotë se “opozita i do dhe nuk i do zgjedhjet”. Në një bisedë për Reporteri.net, deputetja e partisë së Gërvallës dhe Pecit pretendon se ka pasiguri nga opozita për çështjen e shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme.

“Takimi ka pasur për qëllim dakordancën rreth agjendës legjislative, e me theks të veçantë marrëveshjet ndërkombëtare, që kanë lënë të bllokuara rreth 390 milionë euro”, tha Statovci të mërkurën për Reporteri.net.

“Mandati i Qeverisë është në vitin e fundit, dhe padyshim që tema e zgjedhjeve është e pashmangshme. Qeveria ka besim të madh qytetar, siç u raportua edhe nga institute kredibile si IRI, pra kemi kënaqshmërinë më të madhe në rajon për institucionet, me rreth 65%. Ne jemi të gatshëm për zgjedhje, por zgjedhjet varen edhe nga interesi i përgjithshëm qytetarë dhe disponimi ndërpartiak, sepse efekti është ndër-partiak. Opozita, i do dhe nuk i do zgjedhjet. Kjo si pasojë e pasigurive të tyre”, shton deputetja Statovci.

E inicimin për shpërbërjen e Kuvendit, deputetja Statovci, thotë se nuk mund ta bëjë vetëm PDK-ja e cila ka 18 deputetë. Statovci shton se për të shkuar në zgjedhje “duhet një konsensus i përgjithshëm”.

“Për të marrë 56 votat tona si koalicion për shpërbërje të Kuvendit, nuk mund të ecet tutje vetëm me kërkesë të një grupi parlamentar me 18 deputetë. Duhet një konsensus i përgjithshëm, kërkesë e harmonizuar që të ecet tutje me procesin zgjedhorë”, thotë Statovci për Reporteri.net.

Zgjedhjet e parakohshme qenë temë diskutimi edhe në darkën dy orëshe mes Kurtit dhe Krasniqit të hënën, takim ky i cili u refuzua nga krerët e LDK-së dhe AAK-së. Ani pse ftesa e Kurtit kishte qenë për të diskutuar për për zbatimin e agjendës legjislative të Kuvendit, me kërkesën e kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, aty u fol edhe për shkuarjen në zgjedhje të reja, e që sipas kreut të ekzekutivit zgjedhjet e ardhshme janë çështje muajsh dhe shprehi gatishmërinë që të diskutojë edhe me partitë tjera opozitare. Kurti përmendi dy afate – pranverën dhe vjeshtën. Krasniqi insistoi për qershorin si datë.

Kreu i PDK-së menjëherë pas takimit i bëri thirrje LDK-së dhe AAK-së që ta mbështesin nismën për shpërndarjen e Kuvendit në mënyrë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Por, dy partitë tjera opozitare, duket se nuk kanë qëndrim të njëjtë.

Për LDK-në dhe AAK-në, Kurti me mundësinë e shkuarjes në zgjedhjet e reja po mundohet që të mbulojë dështimin e vet gjatë këtyre tre viteve qeverisje, derisa kërkojnë që fillimisht kryeministri të jep dorëheqje.

Lidhja e Demokratike e Kosovës konsideron se fillimisht kryeministri Albin Kurti duhet të jep dorëheqje, e më pas të bëhet shpërbërja e Kuvendit të Kosovës. Sipas kësaj partie, Kurti po e sheh opozitën si shpëtim individual, pas tri vjet e gjysmë pa ndonjë progres thelbësor.

Në deklaratën zyrtare të kësaj partie, ditën e djeshme, thuhej se data është e fundit, e se fokusi këto ditë duhet të jetë te anëtarësimi në KiE.

Se prapa kësaj nisme për shpërbërje të Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, qëndron Kurti, e ka thënë i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, që sipas të cilit kryeministri po i rrëshqet toka nën këmbë dhe po kërkon të shpëtojë.

Për shpërbërjen e Kuvendit, Haradinaj ka thënë se do ta mbështesnin nëse njëherë do të ndodhte dorëheqje apo shkarkimi i Kurtit.

“Është aktualizuar së fundmi një nismë për shpërbërjen e Parlamentit. S’ka asnjë mëdyshje se prapa kësaj nisme është Kryeministri. Duket që po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet. Në këtë prizmë duhet parë edhe insistimi i tij që pas tre vjet qeverisjeje, më në fund kërkon takim me liderët e opozitës, në mos ata po bëhen shpëtimtarët e tij.
Sidoqoftë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti”, ka thënë Haradinaj.

Votimi i qeverisë të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 u bë në 22 mars të po atij viti, derisa mandati i saj përfundon edhe përreth afro një vit.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

MË TË SHIKUARAT

Komentet e fundit