Share
Situata në pikë kalimin kufitar edhe tek Dheu i Bardhë është e qetë, pas paralajmërimit për bllokimin e pikave kufitare të cilat lidhin Serbinë me Kosovës, thirrje kjo e lëshuar nga e ashtuquajtura “Organizata për bllokada në Serb”.
Në këtë pikë kufitare janë të pranishëm edhe EULEX-i.
Në një lidhje direkte, gazetarja Fetije Kamberi ka bërë të ditur se situata është e qetë, dhe se veturat janë duke qarkulluar pavarësisht thirrjes për bllokim të kufijve.
Tutje, ajo theksoi se ka biseduar edhe me disa qytetarë, të cilët kanë thënë se kanë kaluar kufirin pa asnjë pengesë.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, përfshirë pjesëtarët e mërgatës, që kanë planifikuar apo janë duke planifikuar kalimin tranzit përmes territorit të Serbisë, të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
“MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme”, thuhet në apelin e MPJD’së.