Të shtunën e kaluar në Gjakovë është përuruar monumenti i heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Monumenti u përurua një ditë parë ditëlindjes së heroit mbarë kombëtar.
Ndërsa financuesi kryesor i vendosjes së monumentit ishte, bashkëatdhetari nga Zvicra, Gjergj Prenkoçaj.
Në një prononcim për IndeksOnline ai ka bërë me dije se ka kontribuar me rreth 170 mijë euro për vendosjen e bustit në Gjakovë.
“Janë shumë arsye që më kanë frymëzu, sepse falë tij kemi identitetin gjithçka e kem prej tij. E dyta është një njeri që na frymëzon dhe i qëndroi besnik atyre vlerave. Është personi më frymëzues që e njohim historikisht. Mendoj se aty ku vendoset Gjergji vendoset edhe kultura dhe është një gjë që përmes tij njihemi si komb”, thotë ndër të tjera ai.
“Në Gjakovë me ka kushtu personalisht rreth 150 mijë euro…pa TVSH por të shohim. Poashtu edhe për vajtjen dhe ardhjen e arbëreshëve nga Italia rreth 17 mijë euro dhe kjo është më e pakta që mund të bëjmë për Gjergjin”, ka shtuar ai.
Më tutje, ai ka thënë se ka dhënë kontribut edhe në vendosjen e bustit në komunën e Podgoricës.
Po ashtu ai ka bërë të ditur se edhe në Llozanë ka kontribuar në vendosjen e shtatores së Nenë Terezës dhe se çdo vit organizojnë aktivitete të ndryshme shkencore.