Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku e ka quajtur “lojë të ndytë” vendimin e autoriteteve serbe që t’ia refuzonjnë vizitën në Luginë të Preshevës. Ai ka deklaruar se qëllimi i vizitës së tij në Preshevë ishte takimi me kryetaren e Komunës, Ardita Sinani dhe vizita në institucione të kulturës.
Çeku është shprehur se Serbia shkeli afatin 48-orësh për t’iu përgjigjur kërkesës për vizitë, e sipas tij, kjo është shkelje e Marrëveshjes së Brukselit.
“Serbia e vazhdon lojën e ndytë, në Bruksel flet për konstruktivitet dhe avancim në zbatim të marrëveshjes për vizita zyrtare, ndërsa ende pa u kthyer në Beograd refuzon kërkesën tonë. Përkundër që kemi ndjekur dhe respektuar të gjitha procedurat e nevojshme për tu pajisur me leje që të zhvillojmë një vizitë në Luginën e Preshevës, kjo na u mohua nga institucionet e Serbisë. Qeveria e Serbisë refuzoi hyrjen në Serbi vetëm një orë para kohës së planifikuar, duke shkelur afatin 48-orësh të përgjigjes, siç parashihet në Marrëveshjen e Brukselit”, tha ministri.
Çeku ka shtuar se Serbia po vazhdon ta dëshmojë se s’është e interesuar për raporte normale fqinjësore.
“Qëllim i vizitës sonë ishte takimi me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe vizita në institucione të kulturës, takim me organizata rinore dhe kulturore. Përkundër kësaj, ne do të vazhdojmë t’i mbështesim e të jemi pranë qytetarëve të Preshevës, teksa Serbia vazhdon ta dëshmoj e ridëshmoj se nuk është e interesuar për marrëdhënie normale fqinjësore”, ka thënë ai.