Qeveria e Kosovës, po del të jetë “marakli” e nënshkrimit të kontratave njëburimore.
Ose thënë më qartë, e nënshkrimit të kontratave sekret, pa thirrje publike të tenderit, por duke bërë marrëveshje sy me sy me një operator ekonomik që vet ata e zgjedhin, e në këtë rast që i kanë dosta biznismenat.
Indeksonline ka siguruar listën e plotë të 5 mujorit të fundit, të tenderëve të negociuar, të periudhës prill-shtator të këtij viti.
Ani pse për këto kontrata, Prokuroria Speciale muaj më parë ka filluar hetim, nën dyshimin për korrupsion, dhe tenderë të organizuar për kompani të caktuara, kjo gjë nuk i ka penguar Qeverisë së Kosovës në krye me Albin Kurtin, për ta ndalur hezin e nënshkrimit të tyre.
Veç për 5 muaj, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka nënshkruar 241 kontrata sekrete, në vlerë prej 21 milionë e 462 mijë e 987 euro.
Në këtë listë është Korporata Energjetike e Kosovës, e cila prinë me më së shumti kontrata të negociuara.
Gjithsej i ka 15 të tilla, në vlerë rreth 5 milionë euro.
Ministria e Kulturës, në krye me ministrin Hajrullah Çeku, është e dyta me numrin më të madh të këtyre kontratave.
Janë 9 kontrata, që kapin shumën e afër 200 mijë euro.
Përderisa, Ministria e Infrastrukturës e cila udhëhiqet nga Liburn Aliu, ka 8 kontrata në vlerë prej më shumë se 3 milionë euro.
Policia e Kosovës 7 kontrata mbi 135 mijë euro.
Ndërsa Ministria e Drejtësisë, i ka të nënshkruara vetëm dy kontrata, por që vlera është goxha e madhe, mbi 1 milionë e gjysmë.
Pse po i frikësohet Komisionit Hetimor Vetëvendosje?
Opozita në vazhdimësi, ka kërkuar themelimin e një Komisioni që heton këto kontrata, por ajo është penguar nga deputetët e pozitës.
Në seancën e jashtëzakonshme të para disa muajve, Kuvendi nuk arriti ta votojë këtë Komision, pasi Lëvizja Vetëvendosje e kishte pamundësuar krijimin e kuorumit.
Në fund të debatit të gjatë mbajtur në Kuvend, vetëm 26 deputetë të opozitës, patën marrë pjesë në votim.
“Do të donim që sot bashkë me neve të ishin disa prej ministrave, ata të cilët kanë qenë realisht edhe nënshkruesit, apo bartësit e këtyre kontratave një burimore, për të cilat e kemi thirrë seancën për themelimin e komisionit hetimor. Si deputetë, kemi pasë për qëllim që të kemi një diskutim së bashku, dhe të shohim arsyeshmërinë e kontratave.”, pati deklaruar shefi i deputetëve të opozitës, Abelard Tahiri, derisa kërkonte votimin e këtij Komisioni.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sqaronte mënyrën se si jepen tenderët njëburimor, që opozita i quan edhe sekret si më poshtë:
“Tenderët sekretë janë shpërndarje e parës së shtetit, prej buxhetit tek operatorët, bizneset, pa asnjë procedurë, garë, drejt për së drejti marrëveshjet direkte”, deklaronte Abdixhiku.