Subjekti politik “Iniciativa Qytetare për Skenderaj” me kandidatin Sokol Halili, është gjobitur me 1 mijë e 500 euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët.
Ky subjekt është gjobitur për shkak se më 18.09.2025, Sokol Halili, i cili është kandidat për kryetar të Skenderajt, e ka fyer dhe ka krahasuar Sami Lushtakun, i cili po ashtu është kandidat për kryetar të Skenderajt, me Milan Radoiçiq, ish-nënkryetarin e Listës Serbe dhe përgjegjësin kryesor për sulmin terrorist në Banjskë më 23.09.2023.
“Bashkë kundër çdo krimineli apo argati të armikut tonë shekullor serb, unë armik e kam vetëm Milan Radoiçiq dhe shokun e tij Sami Lushtaku, të tjerët janë viktimë, i hapur për të gjithë drenicakët, me përjashtim Sami Lushtakun”- kishte shkruar Halili në Facebook më 18.09.2025.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12.10.2025. Fushata zgjedhore ka filluar më 13.09.2025 dhe do të zgjas deri në ora 06:59 të datës 12.10.2025.
Për të parin e Skenderajt, në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12.10.2025 do të garojnë tre kandidatë, Sami Lushtaku nga PDK, Sokol Halili nga Iniciativa Qytetare për Skenderajn dhe Hysni Mehani nga LVV.
Në garë për nivelin lokal janë 93 subjekte politike: 32 parti, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur, të gjitha të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Vendimin e plotë të PZAP-së mund ta gjeni KËTU.

