Në disa fshatra të komunës së Vushtrrisë janë raportuar probleme me furnizimin me ujë të pijshëm dhe rrjetin e kanalizimit. Banorët i kanë bërë publike këto shqetësime përmes emisionit “Fol me Arin” në Klan Kosova.
Lidhur me këtë çështje, kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, deklaroi se montimi i pompave në fshatin Dumnicë është në fazën përfundimtare dhe se ato do ta përmirësojnë situatën.
“Dumnica ka pasur probleme kaherë sepse është shtrirë rrjeti i ujësjellësit para diku 10 vitesh dhe tash jemi në fazën përfundimtare të montimit të pompave dhe besoj shumë shpejt do ta lëshojmë ujin e pijshëm. I kuptoj, banorët kanë të drejtë por kemi pasur probleme buxhetore këtë vit pasi që më tepër së gjysmën e buxhetit e ka marrë përmbaruesi për kontratat kolektive. Njëjtë e kemi gjendjen edhe në disa fshatra si Strofcit, Beçukut, Zhilivodës. Edhe atje po punon kompania në montimin e pompave dhe një trafo që duhet për aktivizimin e pompave, shpejt besoj edhe atje përfundon”, deklaroi Idrizi.
Ndërkaq sa i përket rrjetit të kanalizimeve, Idrizi tha se ende nuk është përmbylli cikli i tyre nëpër disa fshatra.
“Jemi në proces, pritet të nënshkruhet një kontratë për kanalizime dhe do të përmbyllet në përgjithësi problemi i kanalizimeve në fshatrat e Vushtrrisë. Ka ende fshatra që nuk kanë kanalizim”, tha ai.