Share
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli e ka vlerësuar të padrejtë deklaratën e djeshme të ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier.
Ky i fundit duke kritikuar qasjen e deritanishme të Qeverisë së Kosovës ndaj partnerëve ndërkombëtarë, përdori një thënie të gjyshit të tij: “Gjyshi im ka thënë se nëse dëshiron të bëhesh pjesë e një klubi, atëherë mos urino në pragun e derës së atij klubi”.
“Nuk është mesazh i drejt që duhej t’i përçohej shtetit të Kosovës. Një deklaratë e tillë do t’i përshtatej më së miri shtetit të Serbisë, e jo shtetit të Kosovës. Nëse e shohim rrugëtimin e Kosovës, ajo asnjëherë nuk ka dërguar mesazh si dërgon Serbia, sa herë që i teket se do të anojë me shtete tjera, qoftë më Rusinë , Kinën dhe me shtet tjera të cilat kërcënojnë paqen në rajon. Kosova asnjëherë nuk ka qenë shtet që ka kërcënuar ose ka tentuar të destabilizojë paqen në shtetet fqinje”, ka theksuar Pacolli në magazinën ‘Info Plus’ në RTK.
Sipas Pacollit shteti serb është ai i cili nuk është duke e vendosur politikën e tyre të jashtme në linjë me politikën e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket edhe luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe zhvillimeve tjera gjeopolitike.