
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili më 3 tetor tha se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po “përpiqet të përdorë periudhën para luftës” për të bindur vendet perëndimore në anën e saj.
Përmes një reagimi nga Presidenca në platformën X, Osmani ka dënuar ashpër retorikën e Vuçiqit, duke e cilësuar si një “jehonë të rrezikshme të kapitujve më të errët të historisë së kohëve të fundit”.
“Thirrjet e pamatura të Vuçiqit për luftë janë një jehonë e rrezikshme e kapitujve më të errët të historisë së kohëve të fundit”, thuhet në reagim.
Presidentja Osmani thekson se, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të SHBA-së dhe BE-së për paqe të qëndrueshme, Vuçiqi po tregon se nuk ka zgjedhur rrugën e pajtimit.
“Në vend që të kthejë faqen, Vuçiqi dhe regjimi i tij po flirtojnë përsëri me të njëjtat fantazi shkatërruese që dikur shkatërruan jetë të panumërta e të pafajshme”, thuhet më tej në reagim.
Duke e krahasuar qasjen aktuale të Vuçiqit me atë të ish-udhëheqësit serb, Slobodan Millosheviq, Osmani kujton rolin e Vuçiqit në propagandën e atëhershme.
“Në vitet 1990, Slobodan Millosheviq zgjodhi luftën gjenocidale si instrumentin e tij të fundit të pushtetit. Ai zgjeroi dhunën çnjerëzore në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe së fundmi në Kosovë – të gjitha të dokumentuara me kujdes që bota t’i shihte. Përmes makinës së tij të propagandës, me Vuçiqin si shefin e tij të propagandës, ai ndezi urrejtje që çoi në vrasje sistematike, varre masive, shkatërrime dhe izolimin më të thellë të Serbisë”, thuhet në deklaratë.
“Pushteti i tij përfundoi me turp: i rrëzuar nga populli i tij, i gjykuar si kriminel lufte dhe i kujtuar si njeriu që e çoi kombin e tij në rrënim dhe si kasapi i Ballkanit”.
Tutje, në deklaratë thuhet se Vuçiq po përpiqet të përsërisë të njëjtën strategji të rrezikshme.