Follow faqen tonë
Nga ora 14:00 është caktuar seanca për formimin e qeverisë, mandatar i së cilës është Glauk Konjufca.
Seanca e parë nga ora 11:00 në pikën e parë të rendit të ditës e ka formimin e komisioneve parlamentare. Do të shqyrtohen edhe disa marrëveshje ndërkombëtare, si dhe buxheti për vitin e ardhshëm, buxheti për Gjilan, Zubin Potok dhe Prishtinë, si dhe çështja e financimit të RTK’së.
NISMA Socialdemokrate ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur për në orën 11:00.
“NISMA Socialdemokrate nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme të orës 11:00, e thirrur me urgjencë dhe pa konsultim paraprak me subjektet politike, ndonëse aty figurojnë çështje të rëndësishme për vendin. Tema të tilla kërkojnë përgjegjësi institucionale, përgatitje dhe debat serioz, jo nxitim e improvizime! Prej muajsh, vendi ndodhet në krizë të qartë politike për shkak se nuk ekziston shumicë parlamentare. Ky është realitet i konfirmuar publikisht dhe zyrtarisht nga të gjitha partitë politike gjatë takimeve me Presidenten e Republikës. Përkundër kësaj, janë zvarritur proceset, janë shpikur skenarë dhe janë krijuar iluzione për shumicë që nuk ekziston”.
NISMA ka kritikuar mënyrën e thirrjes së seancës, duke e konsideruar të paagjendë të dakorduar, të pakonsultuar dhe në kundërshtim me rregullat parlamentare,.
“Ne kemi kërkuar me kohë marrëveshje politike, koordinim ndërmjet subjekteve dhe përgjegjësi të përbashkët për të dalë nga kriza, pa kalkulime elektorale! Kemi ofruar gatishmëri të pakushtëzuar për çdo zgjidhje që i shërben vendit, por nuk kemi pranuar të bëhemi pjesë e skenareve që vetëm sa e thellojnë bllokadën. Thirrja e kësaj seance, pa agjendë të dakorduar, pa konsultim dhe pa respektim të rregullave parlamentare, nuk e pasqyron seriozitetin që kërkojnë marrëveshjet ndërkombëtare, angazhimet financiare dhe çështjet buxhetore. Këto tema nuk mund të trajtohen si dekor për fushatë dhe as si instrument i propagandës ditore”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.
PDK dhe LDK po ashtu kanë bërë të ditur se s’marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme nga ora 11:00 ku pritet të shqyrtohen këto pika. /Insajderi.org/

