Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati ka kërcënuar fillimisht me bllokadë për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, e pastaj me shkuarje në zgjedhje, nëse nuk votohet emri i Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit.

Pas dështimit të tetë për të konstituar Kuvendin, Murati përsëri ka akuzuar opozitën për këtë dështim.
“Kemi përsëritje të seancave të kaluara, kjo vjen si rezultat që një pjesë e deputetëve refuzojnë të votojnë për kandidaten Albulena Haxhiu”, ka thënë Murati.
Ai ka përsëritur kërkesën e Vetëvendosjes që tri partitë që u takon të propozojnë emrat për kryetar dhe nënkryetarë të Kuvendit, të ulen e të merren vesh që këto poste të votohen si pako.
“Ajo që kemi kërkuar ne është që tri partitë që u takojnë të propozojnë në pako, kryetarin dhe emrat e nënkryetarëve dhe të ketë dakordim për të votuar. Është bllokadë që mund të shkojë në pafundësi. Skenari i fundit janë zgjedhjet e reja, por nëse ai mbetet opsioni i fundit ne jemi të gatshëm, por nuk jemi të interesuar”, ka thënë Murati në konferencën për media.
Gjatë kësaj konference, Murati ka kërcënuar partitë e tjera se në rast se sigurojnë votat për emrin e Haxhiut, në votimin e nënkryetarëve do të kenë kërkesa dhe pakënaqësi.
“Ajo çfarë po insiston opozita që ne t’i sigurojmë votat, kjo na rezulton në situatën që ne pastaj të mos ua votojmë kandidatët e tyre për nënkryetar. Rezultati do të jetë ky, në momentin që ne sigurojmë votat për Haxhiun, rezulton që për nënkryetarët e tyre do të kemi kërkesa dhe pakënaqësi”, ka thënë Murati.