Pothuajse 25 vjet paslufte, ish-pjesëtari i Sigurimit Shtetëror të Serbisë (UDB) gjatë viteve ’90, Fatmir Sheholli është arrestuar në Prishtinë nën dyshimin për spiunazh.
Arrestimi i tij është kryer nga Prokuroria Speciale, nën asistencën e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tha sot Prokuroria në një njoftim për media.
Fatmir Sheholli, zyrtarisht përfaqësues i shoqërisë civile nga Instituti për Avancimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, është përfolur në media për lidhje me Serbinë. Sheholli i ka mohuar lidhjet.
Në vitet ’90, gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit në ish-Jugosllavi, ai ka punuar në Sigurimin Shtetëror të Serbisë (UDB).
Emri i tij ishte bërë subjekt diskutimi në kuvend mes kryeministrit Albin Kurti dhe deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, i cili njihet për afërsi me Shehollin. Kurti i kishte kërkuar Berishës që të mos takohej me Shehollin.
“Unë nuk e kuptoj Hisen Berishën, vjen në orën e tetë të diskutimit dhe flet me fjalim të shkruar”, i thoshte Kurti, Shehollit në një seancë të kuvendit para dy vitesh. “Ju mund ta ndihmoni shtetin e Kosovës dhe unë kam një kërkesë për juve: mos e tako Fatmir Shehollin!”.
Sheholli, vitin e kaluar në një deklaratë për media, pohoi se është dëshmitar në Gjykatën Speciale. Ai e pranoi se është thirrur si dëshmitar për rastin e vrasjes së babait të tij, Maliq Shehollit.
Maliq Sheholli, babai i Fatmir Shehollit, ishte vrarë më 1998 gjatë luftës në Kosovë. Përgjegjësinë për vrasjen e tij e kishte marrë Ushtria Çlirimitare e Kosovës (UÇK), përmes një komunikate të lëshuar asokohe.
Në një intervistë të cilën e kishte dhënë në vitin 1999 në Beograd për anëtarët e “Delegacionit Amerikano-Verior në soladiret me Jugosllavinë”, Sheholli kishte deklaruar se UÇK-ja ia kishte vrarë babanë në vitin 1997.
Në këtë intervistë, sipas citim të gazetës opozitare serbe “Danas”, Sheholli shprehet se babanë e tij e quajtën ‘tradhtar’ sepse mbështeti Jugosllavinë.
“Para dy viteve, në janar të vitit 1997, UÇK-ja më vrau babanë. E quajtën ‘tradhtar’ dhe e vranë vetëm sepse mbështeti Jugosllavinë dhe qeverinë serbe, dhe jo regjimin e UÇK-së. Ai dëshironte të jetonte me të gjitha grupet etnike në Kosovë”, citohet të ketë thënë Fatmir Sheholli.
Por, Fatmir Sheholli tha se UÇK-ja nuk është përgjegjëse për vrasjen e babait të tij. /Paparaci.com

