Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është parë sërish në vizitë në një objekt fetar – kësaj radhe në Xhaminë e Sudi Efendisë, e cila ndodhet në zemër të Prishtinës. Kjo lëvizje vjen pak muaj para zgjedhjeve lokale, në një kohë kur kreu i ekzekutivit po intensifikon paraqitjet publike.
Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se kanë nisur punimet për restaurimin e kësaj xhamie, që sipas tij është në gjendje të rëndë dhe e lënë pas dore për shumë kohë nga institucionet.
“Vlera e investimit nga Ministria e Kulturës është 639,776.36 euro”, shtoi ai.
Postimi i plotë:
E ndërtuar fillimisht si mesxhid gjatë shekullit XVI, e më pas si xhami gjatë shekujve XVIII dhe XIX, Xhamia e Sudi Efendisë në qendër të Prishtinës, për një kohë të gjatë është lënë në gjendje të keqe fizike, pa kujdesin institucional, me lokale e ndërtime të larta përreth që ia kanë marrë vëmendjen që meriton dhe hapësirën që i takon.
Por ajo tashmë e ka vëmendjen tonë. Nga sot nisën punimet për restaurimin e saj, që parasheh konsolidimin e strukturës së xhamisë, largimin e lokaleve rrotull dhe në fund rikthimin e saj në shfrytëzim nga komuniteti i besimtarëve mysliman.
Ky projekt është përzgjedhur si projekt prioritar për restaurim, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Bashkësisë Islame të Kosovës. Vlera e investimit nga Ministria e Kulturës është 639,776.36 Euro.