
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, së bashku me ministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, takuan në New York ministrin e Jashtëm të Sulltanatit të Omanit, Sayyid Badr bin Hamad bin Hamood Al Busaidi.
Kosova dhe Omani kanë raporte konstruktive, ndonëse nuk kanë marrëdhënie formale diplomatike. Kryeministria përmes një njoftimi bën të ditur se Kurti shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin dhe mbështetjen e Omanit ndaj vendit tonë në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
“Ai e njoftoi për progresin ekonomik e demokratik në Kosovë dhe për mundësitë që ofron për investitorë të huaj. Më tej, ai u shpreh i bindur në potencialin dhe përfitimet dypalëshe në fusha si, partneriteti ekonomik e tregtar, bashkëpunimi kulturor e artistik, arsimi e turizmi.
Kryeministri ftoi ministrin Al Busaidi, bashkë me një delegacion të nivelit të lartë, për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, për të parë e për të hulumtuar mundësitë e reja të bashkëpunimit, që do të thellonin mirëkuptimin ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë”, thuhet në njoftim.
Kurti po qëndron në New York në kuadër të javës së nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. /Reporteri.net/