back to top
September, 8, 2024
spot_img
BallinaLajmeLajme nga vendiKriza në Trepçë, Kurti kushtëzon përkrahjen financiare, minatorët i thonë “mjaftë më”

Kriza në Trepçë, Kurti kushtëzon përkrahjen financiare, minatorët i thonë “mjaftë më”

Minatorëve nuk u kanë dalë pagat qe dy muaj. Qeveria e Kosovës ka reaguar tek sot për këtë situatë, por pa ofruar ndonjë zgjidhje për punën e pagave. Ka theksuar se ndërmarrja ka operuar me humbje, e ka përmendur një subvencion 3.3 milionë euro nga Ministria e Ekonomisë. Përkrahjen financiare, Qeveria e ka kushtëzuar me zotimin për ulje të shpenzimeve e rifillim të rritjes së prodhimit. Minatorët, të cilët janë të vendosur të mos kthehen në punë pa i marrë pagat, janë kundërpërgjigjur duke thënë “mjaftë më”.

Kryeministri Albin Kurti s’ka arritur t’ia kthejë shkëlqimin ndërmarrjes publike “Trepça”, ashtu siç kishte premtuar para minatorëve, katër vjet më parë. “…tash kemi një Qeveri e cila do të kujdeset për pasuritë publike. Trepça është thesar publik të cilin ne duam ta revitalizojmë dhe t’ia kthejmë shkëlqimin e saj”, deklaronte Kurti në shkurt të vitit 2020. Shkarkim/emërimet e bordeve duket se s’kanë kryer punë, meqë ndërmarrja gjendet në situatë të rënduar financiare. Minatorët s’janë paguar qe rreth 60 ditë. Si kundërpërgjigje për vonesat e pagave, ata kanë ndalur punën tash e disa ditë. Për situatën e krijuar, Qeveria e Kosovës ka dalë tek sot me reagim, por pa ofruar ndonjë zgjidhje për pagat. Përkrahjen financiare e ka kushtëzuar me një zotim.

Në reagim konfirmohet gjendja e rëndë në të cilën ndodhet kjo ndërmarrje, ku theksohet se po operon me humbje “si rezultat i ngecjeve në prodhim dhe të hyrave të pamjaftueshme.” “Ministria e Ekonomisë ka përkrahur ndërmarrjen me subvencione në vlerë prej 3.3 milionë euro, që është përtej shumës së planifikuar për të gjithë vitin.

Megjithatë, këto mjete nuk u kanë mjaftuar për të siguruar mbulimin e shpenzimeve operative dhe pagave të punonjësve, që përbëjnë pjesën e konsiderueshme të shpenzimeve të ndërmarrjes”, thuhet në reagim. Sipas ekzekutivit, mënyra e vetme për t’u stabilizuar situata financiare e ndërmarrjes dhe kompensimi i rregullt i punonjësve është që të rritet prodhimi dhe të hyrat dhe të ulen shpenzimet. “Ne presim që të adresohen në mënyrë të qartë, efektive dhe të qëndrueshme sfidat e ndërmarrjes.

Në veçanti, Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga ndërmarrja që të sigurojë rritje të prodhimit e të hyrave dhe ulje te shpenzimeve, si mënyrën e vetme për të arritur stabilizim të gjendjes operative dhe financiare të ndërmarrjes dhe kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme”, thuhet tutje në reagim. Aty theksohet se përkrahje financiare do të varet nga plani dhe zotimi konkret për uljen e shpenzimeve dhe rifillimin e prodhimit.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet në komunikim të vazhdueshëm me Bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes. Sigurojmë se të gjitha palët janë të angazhuara maksimalisht për një zgjidhje afatgjatë, në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë e tyre. Njëkohësisht, Qeveria është duke trajtuar planin e propozuar nga ndërmarrja Trepça Sh.A. Përkrahja financiare varet nga plani dhe zotimi konkret që do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit”.

“Nuk ekziston asnjë rrugë tjetër përpos punës dhe angazhimit intensiv, rregullit, kontrollit dhe drejtimit të përgjegjshëm të ndërmarrjes për sukses”, përfundon reagimi. Minatorët i janë kundëpërgjigjur Qeverisë disa orë më vonë, duke i kërkuar që llogaridhënien ta kërkojë nga Bordi dhe menaxhmenti që ka emëruar vetë. “Mjaft më është koha që të reflektoni ju si qeveri sepse ne si minatorë ju kemi paralajmëruar shumë kohë më parë, pakënaqesinë tonë jemi munduar t’ua shfaqim edhe me ngujimin në minierë e me greva, por si duket as kjo nuk paska mjaftuar. Kuptojeni nuk jemi duke kërkuar diqka jo legjitime, po e kërkojmë shpagimin e mundit tonë, pra pagën që buron nga Ligji i Punës.

Mos i dënoni minatorët, kërkoni llogaridhënie nga ata që keqmenaxhuan”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës. Në reagim thuhet se minatorët e kanë dëshmuar me punë dhe përkushtim obligimin që kanë pasur, për prodhimin sa më të lartë edhe pse pa kushtet elementare për punë, dhe rrezikun.

“Ata të cilët duhet të japin llogari në vijë të parë është menxhmenti dhe bordi të cilët gjithmonë i ka emëruar Qeveria, pra aty është vendi ku duhet kërkuar përgjegjësia dhe llogaridhënia”, theksohet në reagimin e minatorëve. Përmenden edhe gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Në raportin e ZKA’së heksohet se ndërmarrja që nga viti 2020 nuk kishte bërë pagesën për kontributet dhe tatimin në paga për punonjësit e saj.

“Ndërmarrja, tek detyrimet e tjera afatshkurtra kishte prezantuar tatimi në paga i pagueshëm 2,157,218 euro, kontributi i pagueshëm 3,256,317 euro, interesi dhe ndëshkimi i pagueshëm në tatim dhe kontribute në vlerë 1,501,469 euro. Vlen të theksohet që ndërmarrja që nga viti 2020 nuk kishte bërë pagesën për kontributet dhe tatimin në paga për punonjësit e saj, rrjedhimisht nuk janë paguar edhe interesi dhe ndëshkimet në tatim dhe kontribute. Sipas shpjegimeve të menaxhmentit, kjo kishte ndodhur për shkak të gjendjes së vështirë financiare të ndërmarrjes”, theksohet në raportin e Auditorit.

Në raport përmendet edhe se si ndërmarrja është përballur gjatë vitit të kaluar me procedura përmbarimore në vlerë mbi 6.5 milionë euro. “Ndërmarrja gjatë vitit ishte përballur me procedura përmbarimore ku vlera e lëndëve në pritje për t’u ekzekutuar në fund të vitit 2023 ishte 6,599,696 euro. Po ashtu ndërmarrja në PFV kishte njohur humbje të vitit në shumë prej 5,370,713 euro.

Paaftësia e ndërmarrjes për të shlyer obligimet e saj ndikon që ndërmarrja të ketë kosto shtesë gjyqësore dhe përmbarimore, si dhe ndikon në rritjen e rrezikut për solvenitetin afatgjatë të ndërmarrjes”, thuhet në raportin e auditorit. “Trepça” është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje. Kjo ndërmarrje bashkë me të tjerat është paraparë që t’i kalojë nën pronësi Fondit Sovran, që sipas Qeverisë së Kosovës, do të ketë përgjegjësinë ekskluzive për të investuar në rritjen e vlerës së tyre.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

MË TË SHIKUARAT

Komentet e fundit