Avokati Arianit Koci tha se “gjasat janë thuajse inekzistente” që ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi të dënohet me burgim nga Gjykata Speciale.
Koci foli në Frontal në T7 për rastin e Kuçit, i cili përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
“Nuk kemi dokumente të mjaftueshme, nuk kemi informata të mjaftueshme që me dhënë një mendim përfundimtar, por unë po kufizohem së pari te Hajredin Kuçi, të cilin edhe e kam shok, edhe kam mendim shumë të mirë për të, dhe është prej juristëve më të mirë në Kosovë. Ai dyshohet, pra është konfirmuar aktakuza, se në dy raste ka bërë një mosbindje ndaj urdhrave të gjykatës”, tha ai.
Avokati tha se “vepra e Hajredin Kuçit e ka maksimumin e dënimit gjashtë muaj”.
“Pra, mundet (të dënohet) me para dhe gjashtë muaj (burgim). Për këtë vepër penale unë nuk di ndonjë rast që dikush ka shkuar në burg në Kosovë, sepse kjo tash sipas kodit penal të Kosovës gjykohet. Vepra e Hajredinit, pra, është deri në maksimum gjashtë muaj (burgim) dhe gjasat janë thuajse inekzistente që ai të dënohet me burgim nëse eventualisht vërtetohet fajësia e tij”, tha Koci.
Aktakuza e ngritur në të cilën përfshihet edhe Kuçi, pretendon se janë kryer vepra penale kundër administrimit të drejtësisë gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit në Hagë mes ish-presidentit Hashim Thaçi dhe personave të tjerë të akuzuar. Ish-shefi i Agjencisë së Kosovës Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu, vëllai i dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu janë gjithashtu të përfshirë në këtë aktakuzë.