Gazetari Vehbi Kajtazi ka thënë se vendimi i sotshëm i qeverisë Kurti për rritjen e pagës minimale është null dhe i pazbatueshëm.
Sipas Kajtazit, vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale në 350 euro nuk është i vlefshëm për shkak se paraprakisht është votuar në Kuvendin e Kosovës për ligjin për pagën minimale, i cili ka përcaktuar shumë prej 270 eurove.
Për Kajtazin, qeveria Kurti me vendimin e sotshëm kanë treguar se sa të padijshëm janë.
“Sot e kam parë qeverinë Kurti me të gjithë kabinetin tu e qu dorën lartë duke e certifikuar vetën sesa të padijshëm janë, por ma e keqja është që nuk kanë lidhje me kry as këta e as opozita. Paga minimale caktohet me ligj në Kuvendin e Kosovës, pasi që caktohet si konsensus popullor nga partitë politike kur votohet aj ligj. Ai ligj është votu dhe ishte në Gjykatën Kushtetuese duke e përcaktuar pagën minimale 270 euro, kurse tash qeveria voton mbi ligjin duke thënë paga minimale do të jetë 350 euro. Nuk mund ta shfuqizoj një vendim i qeverisë ligjin e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Kajtazi në Rubikon.
Kajtazi ka treguar rrugën ligjore që është dashur ta ndjek qeveria për ta bërë të mundur ndryshimin apo rritjen e pagës minimale dhe vendimin e sotëm e ka quajtur si mashtrim
“Kurti do të duhej ta iniconte ndryshimin e ligjit për pagën minimale që Kuvendi i Kosovës të votoj për pagën minimale për 350 euro. Ky vendim është null dhe i pazbatueshëm. Çfarëdo veprimi i qeverisë lidhur me pagën minimale është i paligjshëm. Vendimi qeveritar nuk mund ta detyroj sektorin privat ta zbatoj pagën minimale prej 350 euro dhe rrjedhimisht është rrenë dhe mashtrim”, është shprehur Kajtazi.