Vehbi Kajtazi, drejtor i Gazetës Paparaci ka ftuar Gjykatën të nxjerr vendim, nëse ka, për përgjimin e tij.

Megjithatë, sipas Kajtazit një vendim i tillë nuk ekziston.
“Elemente brenda AKI-së janë kthyer në një grup kriminal që i shërbejnë regjimit të Albin Kurtit. Bëhet fjalë për një grup kriminal për të cilin kam fol që quhet strukturë paralele brenda shtetit. Mos të ishin kriminelë nuk kishin ndërmarrë veprime të tilla. Sot i ftoj publikisht le ta nxjerrin vendimin e Gjykatës që Gjykata ka urdhëru përgjime në vëzhgimin tim, sot le ta nxjerrin. Një vendim i tillë nuk ekziston”, ka thënë Kajtazi.

Ai ka deklaruar se sipas raportit policor, një pajisje është vendosur në garazhën e banesës së tij dhe dy zyrtarë të AKI-së janë filmuar duke hyrë e dalë nga kjo garazhë.
“Po ashtu gjatë hetimeve është konstatu, e ki me raport se zyrtarë të AKI-së e kanë vendosë këtë pajisje në veturën time në garazhë dhe janë të filmuar dy zyrtarë të AKI-së duke hyrë dhe duke dalë kur ka ndodhë kjo. Në garazhë time te banesa. Për krejt këto që po të flas unë po të flas me informacion të saktë. Tani i mbetet Prokurorisë me çu hetimin përpara, jo pse unë jam palë e dëmtuar por ne nuk guxojmë kurrsesi që institucionet e sigurisë të ndërmarrin veprime të tilla që cenojnë liritë themelore të njeriut”, ka shtuar Kajtazi në Klan Kosova.
Madje ai pretendon se kjo pajisje GPS ka transmetuar valë në telefonin e zv.shefit të AKI-së, Agon Bytyqit.
“Kjo pajisje ka transmetu valë në telefonin e zv/shefit të AKI-së. Ka transmetu sinjal i cili ka pasë qasje të vazhdueshme të lëvizjeve të mia. Po flas për Agon Bytyqin. Pajisja ka një sim-kartelë brenda e cila nëpërmjet 4G transmeton sinjal dhe ky sinjal transmetohet diku…Për krejt këto çka po të flas mbaj përgjegjësi edhe penale edhe materiale”, ka shtuar Kajtazi.