Seanca e paralajmëruar më datë (30 janar) në lidhje me grupin famëkeq “AlbKings”, është shtyrë për datën 26 mars.

Kjo për faktin se të dyshuarit nuk qenë prezentë.
Njëri nga të dyshuarit e ka njoftuar avokatin në momentin e fundit se nuk do të paraqitet në seancë, ndërsa është konstatuar se i njëjti ka ikur në një fshat në Serbi.
Palëve u është thënë që seanca do të jetë e mbyllur, por ajo nuk mund të ishte e mbyllur meqë nuk pati kushte që të fillojë në mungesë të të pandehurve, andaj edhe gjykata nuk pati mundësi të vendosë që të mbyll seancën.
Ndërkaq, në mesin e viktimave që i janë keqpërdorur fotografi e të dhëna personale nga ky grup, ka qenë edhe Anisa Veseli, ish-banorja e Big Brother VIP Kosova 3.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 27 janar njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj F.P., E.N. dhe E.S., lidhur me rastin e grupit famëkeq, “Albkings”.
Sipas njoftimit të organit të akuzës, aktakuza në këtë rast u ngrit pas një pune të pandërprerë hetimore.
Ndaj të pandehurve rëndojnë veprat penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve në bashkëkryerje”, “Shantazhi” dhe “Shtrëngimi”, transmeton Klankosova.tv
Thuhet se tre të akuzuarit kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranim fajësie.
“Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokurori i Shtetit ka deponuar aktakuzën së bashku me marrëveshjet përkatëse për pranimin e fajësisë, të cilat janë arritur ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe të pandehurve”, u tha në njoftim.
Kujtojmë se ish-administratori i “Albkings”, Edin Nevzadi ishte arrestuar më 17 prill 2024, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vjedhje të identitetit dhe kredencialeve”. Ai u lirua nga paraburgimi në tetor 2024.