Ashtu si pritej reagimet janë të shumta pas intonimit të himnit të Kosovës në sallën “Serbia” në sheshin “Serbia” në Sarajevën Lindore. Sarajeva Lindore është pjesë e Republika Srpskas të Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa intonimin e himnit e mundësuan xhudistet Flaka Loxha e Dëbora Gjakova që të shtunën fituan medalje të arta në Kampionatin Ballkanik për seniorë.
Për herë të parë himni i Kosovës është intonuar në Republika Srpska. Ky entitet, ku ndikimi i Serbisë është shumë i madh, nuk e pranon shtetin e Kosovës dhe nuk lejon që Bosnjë-Hercegovina ta pranojë Kosovën.
VIDEO: https://if-cdn.com/rnBwFyW?card=small&consent=0&theme=light&v=1&app=1
Xhudistët kosovarë për herë të parë kanë garuar në Republika Srpska dhe i fituan pesë medalje në Ballkanikun për të rritur.
Para se të lëshohej himni i Kosovës, shumica e të pranishmëve u larguan nga salla “Serbia”. Disa qëndruan ulur duke mos respektuar himnin e pak prej të pranishmëve u ngritën në këmbë. Himni u ndal në gjysmë, ndërsa medaljet e ndara ishin me motive serbe. Xhudistët kosovarë i kthyen mbrapsht medaljet gjatë fotografimit, ndërsa suksesi i tyre, ndonëse në një ngjarje solide, bëri bujë.
Presioni i serbëve lokalë ndaj drejtuesve të Federatës së Xhudos së Republika Srpskas është shumë i madh. Himni i Kosovës po përdoret edhe për përplasje politike mes serbëve, ndërsa pas presionit të madh ka reaguar edhe Federata e Xhudos e Republika Srpskas.