Share
Gjuajtje me armë zjarri janë dëgjuar sot rreth orës 15:00 në Hajvali të Prishtinës, me çrast një person ka mbetur i plagosur, raporton GazetaDemos.
I plagosuri është dërguar në QKUK për tretman mjekësor, teksa i dyshuari me inicialet L.K tashmë është në kërkim nga Policia e Kosovës.
Rastin e ka konfirmuar për GazetënDemos zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se organet e rendit janë duke u marr me rastin për zbardhjen e detajeve.
“Sot rreth orës 15:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në Hajvali. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri është plagosur një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.
Rasti është cilësuar si vrasje në tentativë.