Avokati i njohur kosovar, Arianit Koci ka njoftuar për një rast që i ka ndodhur një klienti të tij, transmeton GazetaDemos.
Sipas Kocit i riu nga Kosova po përballet me akuza për trafikim armësh në Shqipëri, e krejt kjo si pasojë e një keqkuptimi.
I riu, me pamje fëmijërore, i edukuar, i urtë dhe student i shkëlqyeshëm, tash tetë muaj është në paraburgim në Shqipëri”, tha ai ndër tjerash.
Postim i plotë:
Djalosh rreth 20 vjeç. I edukuar, i shkolluar, i urtë – është shembull në qytetin e vet, dikund në Kosovë.
Jetën e ka përpara. Student i shkëlqyeshëm.
Kursen nga buka e gojës dhe e blen biletën për Milano, duke nisur nga Tirana.
2.
Bileta e kthimit është pas tre ditësh. Shkon të palosë rrobat dhe e sheh çantën e shpinës së babait. Me të, kreu i familjes ecën shpesh në male.
E merr çantën dhe palos brenda rrobat e veta.
Nuk e sheh të arsyeshme t’i tregojë babait.
Në familje, vazhdimisht përdorin të njëjtat gjëra.
3
“A ke diçka në çantë?” – e pyet zyrtari i sigurisë gjatë kontrollit në aeroport.
“Kurgjo, përveç sendeve personale” – ia kthen kosovari i padjallëzuar, me shikimin e fëmijës.
Lëshohet alarmi. Vjen policia. Studentin me pamje fëmijërore e trajtojnë si kriminel të rrezikshëm.
4.
Babai i tij merret me alpinizëm. Ecën maleve. Prej budallallëkut, e prej frikës së arinjve, ka blerë një pistoletë sportive, që përdoret si startues për gara.
Prapë, prej budallallëkut, e ka modifikuar dhe e ka transformuar në armë të vërtetë, me plumba 6-she.
E ka lënë në çantën e shpinës – atë që djali e merr me vete për rrugë në aeroportin e Tiranës.
Revolja është e vogël, e lehtë. Djali i tij nuk e ka parë dhe nuk e ka ditur se aty është arma e babait.
5.
I riu, me pamje fëmijërore, i edukuar, i urtë dhe student i shkëlqyeshëm, tash tetë muaj është në paraburgim në Shqipëri.
Sipas babait, akuzohet për trafikim armësh. Prokuroria pretendon se ka tentuar të kontrabandojë armën në Itali.
Ekspertiza ka konstatuar se nuk janë gjetur gjurmë gishtërinjsh të kosovarit të ri në revole.
Natyrisht, ai as nuk e ka parë, as nuk e ka prekur, e as nuk e ka ditur.
6.
“Për këtë vepër, minimumi i dënimit është shtatë vite. Është krim i rëndë. Sidoqoftë, ka gjasa të dënohet me nëntë vite, por mund të dalë pas gjashtë”, i kanë thënë avokatët.
Ky është fati i keq në jetë! Brenda një minute, jeta të ndryshon.
Shpresoj që gjykata në Tiranë i vlerëson rrethanat lehtësuese.
Shpresoj që e vlerëson situatën në tërësi dhe nuk ia shkatërron jetën një të riu!
P.s
I lus mediat për senzibilim të kësaj çështjeje.
Javën tjetër përfundon gjykimi në Shqipëri. Vendoset për fatin e tij!