Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Korçës. Sipas informacioneve paraprake nga policia mësohet se një shtetas i cili është në proces divorci nga bashkëshortja ka lyer këtë të fundit me benzinë.
Ngjarja ka ndodhur pak më parë, ndërsa sipas asaj që thotë policia shtetasi me B.T. ka shkuar në banesën ku jeton bashkëshortja e tij dhe ka kryer aktin e rëndë. Aktualisht gruaja po merr shërbim mjekësor pranë spitalit rajonal të Korçës gjendja e së cilës nuk dihet akoma, ndërsa policia është në kërkim të autorit i cili është larguar nga vendngjarja.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 16:30, në lagjen nr. 2, Korçë, në rrugë, shtetasi B. T., 45 vjeç, ka tentuar të djegë me lëndë djegëse benzinë bashkëshorten,( në proces divorci dhe aktualisht jetojnë të ndarë), shtetasen M. T., 31 vjeçe.
Shtetasi B.T, pasi i ka hedhur lëndën djegëse në trup shtetases M.T dhe e ka ndezur është larguar me shpejtësi. Si pasojë shtetasja M. T., ka pësuar djegie në trup dhe është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të 45 vjeçarit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit. Ndërkohë shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për kapjen e autorit.