Dy mësimdhënës të gjimnazit “Shaban Hashani” në Ferizaj janë përfshirë në një përleshje fizike të enjten, më 29.01.2026, gjatë pushimit të gjatë në sy të nxënësve dhe drejtoreshës së shkollës.Për rastin e përleshjes së mësimdhënësve, një nxënës e kishte njoftuar Policinë Rajonale të Ferizajt.“Më datë 29.01.2026, rreth orës 11:15, policia ka pranuar një informacion se në një shkollë të mesme në Ferizaj, dy mësimdhënës janë përfshirë në një përleshje fizike”- ka konfirmuar më 30.01.2026 për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:25 në korridorin pranë sallës së mësimdhënësve, ku janë përfshirë dy profesorë. Situata është qetësuar menjëherë nga drejtoria e shkollës”- ka shtuar ai.Rastin e ka konfirmuar nëpërmjet telefonit edhe drejtoresha e gjimnazit “Shaban Hashani”, Hajrije Nebihu, e cila ishte e pranishme në momentin e përleshjes fizike të mësimdhënësve të shkollës.Nebihu e ka përshkruar vetëm si “shtyrje” përleshjen, megjithëse e ka pranuar se njëri prej mësimdhënësve ka rënë përtokë.“Nuk ka ndodhur rrahje, incident ka pasë, nuk mundem me mohu, e ka rrëzu, e ka shty, e ka rrëzu njoni tjetrin”- ka thënë Nebihu.
Unë kam qëllu aty, edhe u çu i njëjti profesor e ka kapë me e çu. Nuk ka pasë kështu grushte mes vete, por e ka shtyrë mbrapa në shpinë t’u dalë, me qëllim, jo pahiri”, ka shtuar ajo.Nebihu ka thënë se menjëherë u ka kërkuar mësimdhënësve që të shkojnë në shtëpi dhe se ka informuar edhe Drejtorinë Komunale të Arsimit të Komunës së Ferizajt.Drejtori i DKA-së së Ferizajt, Afrim Llabjani, ka konfirmuar për KALLXO.com se është njoftuar nga drejtoresha Nebihu për rastin dhe se e ka udhëzuar që së pari t’i marrë të gjitha masat në përputhje me rregulloret e shkollës për disiplinë.“Ne i kemi sugjeru t’i ndjekë hapat që janë me rregullore dhe pastaj nëse është e nevojshme do ta shqyrtojmë si rast edhe ne dhe do t’i marrim masat e nevojshme”- ka thënë Llabjani, duke thënë se do ta çojë rastin edhe në Inspektoratin e Arsimit nëse është e nevojshme.
Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Ferizajt, Kanun Veseli ka thënë se të dyja palët janë paraqitur në stacion policor dhe janë intervistuar nga Njësia e Hetimeve.“Me urdhër të prokurorit, rasti është përpiluar ‘shënim zyrtar’”- ka përfunduar Veseli.

