Trajneri Ilir Daja ka folur për herë të parë pas largimit nga kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani. Ai e ka cilësuar të jashtëzakonshme punën me skuadrën nga Suhareka. Ai u largua nga Ballkani në fillim të këtij muaji.
“I keqardhur kam pranuar faktin se është momenti që rrugët tona të ndahen pas 973 ditësh të vrullshme, të jashtëzakonshme, emocionuese dhe mbi të gjitha me rezultate historike. Në këtë moment do të doja të përqafoja dhe falënderoja secilin nga ju që e bëri aventurën time në Suharekë më të mirën në aspektin njerëzor dhe profesional, duke filluar nga presidenti Arsim Kabashi, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij, secili nga anëtarët e stafit tim teknik, çdonjërin nga futbollistët, ç tifoz, veçmas ‘Xhebrailat’, çdo qytetar të Suharekës, falënderime dhe mirënjohje pa fund”, ka shkruar Daja në “facebook”.
Ai ka falënderuar edhe opinionin e gjerë sportive të Kosovës, kundërshtarët në fushë, tifozët e klubeve të ndryshme e po ashtu edhe mediat.
“Largohem nga Suhareka shumë krenar për çdo ditë të punës time aty, për çdo fitore, trofe e suke në garat evropiane. Pafundësisht mirënjohës për të gjithë, jashtëzakonisht i lumtur në qytetin dhe klubin ku erdha si mysafir dhe largohem i përmbushur dhe ndjesinë e një pjesëtari të familjes së madhe Ballkani, së cilës i uroj dhe dëshiroj suksese të reja dhe më të mëdha. Faleminderit Ballkani”.
Tiranasi Daja ka shkruar histori në futbollin kosovar. Ai e mori drejtimin e Ballkanit në janar të vitit 2022. E ka udhëhequr skuadrën drejt tre titujve të kampionit të Kosovës. Me Dajën në krye, Ballkani ka arritur dy herë në fazën grupore të Ligës së Konferencës dhe madje ka synuar avancimin në fazën nokaut. Ka të fituar edhe një kupë të Kosovës edhe dy superkupa të Kosovës.
Daja ka nisur punën te Dinamo e Tiranës.