Ish-presidenti amerikan Bill Clinton lëshoi një deklaratë në lidhje me ato që ai i quajti “skena të tmerrshme” në Minneapolis dhe pjesë të tjera të vendit, “që ai kurrë nuk mendonte se do të ndodhnin në Amerikë”.
“Njerëzit, përfshirë fëmijët, po merren nga shtëpitë, vendet e punës dhe rrugët nga agjentë federalë të maskuar”, tha Clinton.
Ai shtoi se “protestuesit paqësorë dhe qytetarët që ushtruan të drejtën e tyre kushtetuese për të vëzhguar dhe dokumentuar veprimet e policisë u arrestuan, u rrahën, iu nënshtruan gazit lotsjellës dhe, më e dhimbshmja – në rastet e Renee Good dhe Alex Pretti – u qëlluan dhe u vranë”.
“E gjithë kjo është e papranueshme dhe mund të ishte shmangur”, theksoi ai. Kujtojmë se një agjent federal vrau Alex Pretti-n, një teknik mjekësor 37-vjeçar, dy ditë më parë në Minneapolis.
“Na thonë të mos besojmë atë që pamë me sytë tanë”
Klinton më pas akuzoi autoritetet për mashtrim të publikut. “Ata në pushtet na gënjyen, na thanë të mos e besonim atë që pamë me sytë tanë dhe nxitën taktika gjithnjë e më agresive dhe armiqësore, duke përfshirë pengimin e hetimeve nga autoritetet lokale”, pretendoi ai, përcjell Index.hr.
Ai paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara ndodhen në një moment historik vendimtar. “Ne përballemi vetëm me disa momente në jetën tonë ku vendimet që marrim dhe veprimet që ndërmarrim formësojnë historinë tonë për vitet që vijnë”, vuri në dukje ai.
“Ky është një nga ato momente. Nëse heqim dorë lehtë nga liritë tona pas 250 vjetësh, mund të mos i rimarrim kurrë ato”, paralajmëroi ai.
Ai përfundoi me një thirrje drejtuar qytetarëve: “Varet nga të gjithë ne që besojmë në premtimin e demokracisë amerikane të ngrihemi, të flasim hapur dhe të tregojmë se ky vend ende na përket neve, popullit.”

