Për veprimet e tyre gjatë seancës komunale të së hënës, të dy protagonistët u ndëshkuan.
Gëzim Sveçla, Shef i Grupit të Asamblistëve të Vetëvendosjes në Prishtinë, për shkuljen e mikronin të kryesuesit të kuvendit komunal, u dërgua në mbajtje për 48 orë.
Ndërkaq, Berat Lahun, njërin prej asamblistëve të LV-së, i cili votoi pro miratimit të buxhetit të vitit 2025 për kryeqytetin, e ndëshkoi vetë partia.
“Kemi mbajtë mbledhje të jashtëzakonshme, është procedua në komisionin disiplinor, meqë nuk e kemi ditë se ata do të marrin pjesë. Vendimi për një mikrofon ndukje nuk ka qenë i mirë, po prapë ka vazhdua seanca është ekzagjeruar, është politikë, organet e drejtësisë të merren me tendencat kriminale dhe ta mbrojnë Prishtinën përballë këtyre tendencave për përfitime të ngushta”, tha sekretari i LV-së në Prishtinë, Egzon Azemi.
Me t’u njoftuar me vendimin e partisë, Lahu reagoi menjëherë.
“Ata po më akuzojnë mua për pazare me oligarkë, që është një shpifje e pastër, në ndërkohë që kam qenë vetë unë që kam kundërshtuar realizimin e interesave të Devollëve në shumë raste, njësoj siç e kam kundërshtuar këmbimin e pronave në Badoc me prona në Prishtinën e re. Qendra e Prishtinës në vend se të bëjë akuza të pabaza kundër meje do të duhej të merrej me Egzon Azemin, i cili në seancën e djeshme, duke e ditur se kamerat kanë qenë të kthyera nga ne, është afruar me vetëdije dhe ka provokuar”, tha Lahu.