Kandidati për deputet të Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Artan Behrami e ka komentuar vizitën e kryeprokurores së Gjykatës Speciale, Kimberly West në Kosovë.
“Për çka vjen një Prokurore e Gjykatës Speciale në Kosovë? Për të ndikuar mbi institucionet? Për t’i frikësuar institucionet? Për të ndërhyrë në drejtësi? Apo është vetëm “tentim frikësim dhe tentim ndërhyrje”?”, ka thënë Behrami përmes një video të publikuar në Facebook.
Ai ka pyetur se si është e mundur që Prokuroria që ka propozuar dënim maksimal për krerët e UÇK-së, guxon të bëjë presion, të lobojë, tha ai, duke iu referuar takimeve që tha se ajo i ka pasur me përfaqësues shtetërorë, diplomatë dhe media.
“A nuk është ky ndikim mbi procesin? Njëjtë, si dikur Jack Smith, edhe Prokurorja West po takon politikanë, ministra, diplomatë për t’u thënë që krerët e UÇK-së, me çdo kusht e me çdo mjet, duhet të dënohen”, thotë ai.
Sipas Behramit këtu nuk bëhet fjalë për barazi të armëve, ku Prokuroria dhe Mbrojtja janë të barabartë para panelit gjyqësor, si parakusht për një gjykim fer dhe të paanshëm.
“Pse prokurorja bën me thënë që krerët e UÇK-së duhet të dënohen me burg të përjetshëm e ne nuk guxojmë të themi që ata janë heronj të gjallë? Prandaj, edhe ne duhet të vazhdojmë të flasim për proces, të lobojmë për një gjyq fer dhe të paanshëm. Të krijojmë mekanizma mbikëqyrës, të hetojmë nëse gjykata ka shkelur të Drejtat e Njeriut”, thotë ai.
Ish-këshilltari i Presidentit Thaçi, Artan Behrami ka befasuar me hyrjen në listën e PDK-së, ku garon për deputet të Kuvendit të Kosovës.