Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka bërë thirrje për mobilizimin e vullnetarëve për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit që ka përfshirë zonën e Kullës së Qelisë në Bjeshkët e Deçanit.

Në një postim në rrjetet sociale, Ramosaj ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga qytetarët për të kontribuar në këtë aksion të rëndësishëm.
“Situata kërkon reagim të menjëhershëm dhe kontributin e secilit prej nesh,” ka shkruar ai.
Kryetari i komunës ka ftuar të gjithë vullnetarët që të bashkohen nesër, në ora 08:00, tek stacioni i zjarrfikësve në Deçan. Ai ka njoftuar se pajisjet e nevojshme do të sigurohen në terren, por ka rekomanduar që pjesëmarrësit të vijnë të përgatitur me veshje dhe këpucë të përshtatshme.
Ramosaj ka falënderuar qytetarët për gatishmërinë dhe solidaritetin e tyre në përballimin e kësaj situate emergjente.