Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ka rrëfyer detaje nga takimet që ka pasur me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ku ka treguar se iu ofrua posti i ministres, por thotë se mënyra se si është trajtuar më pas ka bërë që të mos e pranojë më një ofertë të tillë.

“Në fillim kemi pasur një takim me partinë time, ku kemi folur në përgjithësi për planin për të formuar qeverinë dhe nevojat tona. Në takimin e dytë kam menduar se do të jem vetëm me Albinin për të biseduar më konkretisht dhe për të përcjellë një kërkesë që e kam marrë nga terreni. Për këtë kërkesë, disa më kanë parë si armike të shtetit”, ka deklaruar Balje në Debat Plus.
Ajo ka treguar se në takim ishin të pranishëm edhe dy deputetë të komunitetit boshnjak, EmilijaRexhepi dhe Rasim Demiri, dhe se i ka bërë të qartë Kurtit që nuk do të votonte ligje që i konsideron të papranueshme, edhe nëse arrihet një marrëveshje.
“Në atë moment, Kurti më tha: ‘Ti e ke vendin e ministres’. Nuk e di si e ka thënë, nëse për të më larguar nga Kuvendi… Por unë kam qenë e sinqertë me VV-në dhe nuk e kam merituar trajtimin që e kam sot”, ka theksuar ajo.
Sipas Baljes, pas premtimit për një post ministror, i ishte thënë se do ta thërrisnin në orën 10:00 për të caktuar ministrinë përkatëse, por një telefonatë e tillë nuk ka ardhur kurrë.
“Ne kemi pritur, por deri tash s’ka pasur asnjë thirrje. Tash nuk jemi duke pritur më. Edhe nëse vjen ajo ofertë, nuk e pranoj më. Atëherë po”, ka shtuar Balje.
Ajo ka folur lidhur me “ofertat” e bëra nga Lëvizja Vetëvendosje dhe rreth videove të cilat po qarkullojnë në rrjetet sociale.
“Kur unë jam në pyetje, do të thotë kemi disa precedentë në shtet, edhe mënyra e respektimit, edhe mënyra e poshtërimit, edhe mënyra e prezantimit të fuqisë… Unë jam e vetmja deputete prej komuniteteve që jam kundër një partie e cila ka fituar zgjedhjet. Deri tash nuk e kemi pasur këtë situatë”, ka thënë ajo në Debat Plus në RTV Dukagjini.
Ajo tutje është shprehur se deputetët e komuniteteve gjithmonë kanë qenë me partinë fituese të shqiptarëve, por se këtë herë ajo ka thënë se ka vendosur “dhe jam shumë e sigurt dhe kam shumë arsye mos me qenë pjesë e ekipit Vetëvendosje, në të cilin janë deputetë të tjerë”.
“Unë nuk e votoj… Unë kam qenë gati me ia zgjat dorën Albinit, vërtetë. Kam shkuar në takim pavarësisht se për pesë vite kur kam qenë me ata, në çfarë pozite kam qenë; të injorimit, moskomunikimit… edhe mënyra qysh e kanë ndihmu konkurrencën time [gjatë fushatës zgjedhore]… Kurti nuk ka shku me vizitu boshnjakët…”, ka thënë ajo.
Sipas Baljes, këto ishin “shenja” se si e kanë pasur në plan me heqë prej politikës.