back to top
December, 23, 2024
spot_img
BallinaLajmeLajme nga vendiAxha i Lulzim Fejzullahut: Krejt Kosovën me ma falë s’më duhet, jepni...

Axha i Lulzim Fejzullahut: Krejt Kosovën me ma falë s’më duhet, jepni dënimin e merituar

Vetëm drejtësi dhe dënim të merituar është ajo që po kërkon familja e të ndjerit Lulzim Fejzullahu, i cili ndërroi jetë si pasojë e rrahjes me shkop bejsbolli nga dy të mitur në janar të këtij viti në QKUK.

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar procesi gjyqësor për rastin e 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu.

Avokati i familjes Fejzullahu, Tomë Gashi ka thënë se gjykata deri më tani nuk ka vepruar drejt duke mos konsideruar të gjitha rrethanat rënduese, së paku për njërin prej të miturve i cili po ashtu është shpallur përgjegjës, por dënimi nuk ka qenë maksimal. Ai ka shtuar se në seancën e sotshme ka qenë fjala përfundimtare dhe më 31 korrik në ora 9:00 do të mbahet shpallja e aktgjykimit.

“Më 31 korrik, në ora 9:00, do të mbahet shpallja e aktgjykimit. Në këtë rast gjithmonë ka qenë i mbyllur. Sot ka qenë vetëm fjala përfundimtare. Duhet të kemi parasysh se së paku njëri prej të miturve ka pasur një mori veprash penale, duke përfshirë edhe vrasje në tentativë ku ka qenë më herët edhe një person i sulmuar dhe i therur në një shkollë në Besianë dhe një mori veprash tjera penale. Gjykata e Apelit për disa shkelje te procedurës e ka kthyer prapë në rigjykim. Provat kryesore kanë qenë edhe incizimet, të cilat së paku një pjesë e tyre janë bërë publike nga kamerat e sigurisë. Familja e Lulit është jashtëzakonisht e dëshpëruar. Sipas tyre gjykata deri më tani nuk ka vepruar dhe aq drejt duke mos konsideruar të gjitha rrethanat rënduese së paku për njërin prej të miturve, i cili po ashtu është shpallur përgjegjës, por dënimi nuk ka qenë maksimal”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, axha i Lulzimit, Rrahim Fejzullahu ka paralajmëruar protestë nëse gjykata nuk merr vendimin e merituar për kryesit e vrasjes.

“Vetëm një punë nuk po më hyn në kokë. Nëse këta persona nuk e marrin vendimin e merituar, unë jam ai axha i Lulit që do të marrë të gjithë popullatën kudo qoftë, që e kanë pa me sy dhe do të vijë të protestoj para gjykatës. Megjithëse unë besoj, por të shohim se si po reagojnë. Krejt Kosovën me ma falë mua nuk më duhet më asgjë, mashkulli më ka shkuar. Jepja dënimin dhe u përfundua puna, këtu asgjë tjetër nuk ka”, tha Fejzullahu.

Më 15 janar 2024, pas një përleshjeje me dy të mitur, Lulzimi ishte rrahur për vdekje. Pas pesë ditësh në QKUK, i njëjti ka ndërruar jetë. Prokuroria, rastin fillimisht e kishte iniciuar si vrasje në tentativë, e më pas është ri-cilësuar në vrasje e rëndë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 25 mars 2024 kishte përpiluar propozimin për shqiptimin e dënimit me burg për dy të miturit për veprën penale vrasje e rëndë. Gjykata e Apelit para dy javësh kishte kthyer në rigjykim çështjen e vrasjes së Lulzim Fejzullahu, vendim i cili anulon aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilën i mituri i parë ishte dënuar me 10 vjet heqje lirie dhe i mituri i dytë me 9 vjet burg.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

MË TË SHIKUARAT

Komentet e fundit