Këngëtarja e njohur shqiptare, Arta Bajrami, ka ndarë një moment shumë personal dhe plot emocion gjatë emisionit “Oxygen”, të udhëhequr nga moderator i njohur Besim Dina. Në një rrëfim që preku zemrat e shikuesve, Arta ka zbuluar diçka shumë private që ka të bëjë me jetën e saj familjare.
Me një zë të mbushur me ndjenja, Arta ka pranuar se dy nga katër fëmijët e saj janë të prekur nga spektri i autizmit. “Dua të tregoj një të vërtetë, sepse po e kam një fare ngushtimi kështu që po ballafaqohem në përditshmëri. Ideali dhe Elektra janë diagnostikuar me spektrin e autizmit. Janë diagnostikuar pak më vonë, pasi fillimisht doktorët nuk kanë dhënë diagnozë të saktë. Unë nuk jam dorëzuar kurrë, ju kemi ndenjur mbrapa bashkë me bashkëshortin”, ka rrëfyer ajo në emision.
Në një ton të qetë dhe me plot dashuri, Bajrami ka folur për sfidat dhe fitoret e vogla që përjeton çdo ditë si nënë. Ajo ka treguar se është duke i trajtuar fëmijët e saj në Shoqatën e Autizmit në Prishtinë, një institucion që sipas saj po bën një punë të admirueshme në mbështetje të fëmijëve me autizëm dhe familjeve të tyre.
Arta Bajrami (Foto: Oxygen Show/YouTube)
“Për momentin jam duke i trajtuar në Shoqatën e Autizmit në Prishtinë, të cilët po e bëjnë një punë shumë të mirë. Tash Zoti mi ka çuar këta dy yje, këta engjëj që japin dashuri pa kusht. Kuptojnë krejt, vetëm me fol nuk munden ende, janë jo verbale”, ka shtuar Arta, duke folur për dy fëmijët e saj me një zë plot krenari dhe përkushtim.
Ky rrëfim i Arta Bajramit në “Oxygen” jo vetëm që ka sjellë në vëmendje sfidat që hasin familjet me fëmijë të prekur nga spektri i autizmit, por gjithashtu ka treguar forcën dhe dashurinë e pakufizuar të një nëne. /Telegrafi/