Kryeprokurori i Prokurorisë Specializuar, Blerim Isufaj, është deklaruar lidhur me deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me refuzimin e ftesës së kësaj prokurorie që të dëshmojë si dëshmitar për rastin e rezervave shtetërore.
Isufaj në një konferencë për media ka thënë se nuk është në dijeni se dikush më herët është intervistuar në objektin e Qeverisë.
“Ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe zyrtarë të lartë shtetërorë. Çdo person që ftohet ka përgjegjësi ligjore të bashkëpunojë me institucionin e drejtësisë. Ju bëj thirrje të gjithë institucioneve publike që të tregojnë përkushtim dhe të shmangin retorikën. Nuk jam këtu për t’i komentuar deklaratat e askujt, sepse fare s’më interesojnë. Po flas ato që unë e di”, deklaroi Isufaj.
“Prokuroria Speciale nuk përdor skenare, nuk bëjmë dallime as për nga pozita as nga emra. Unë nuk kam informacione nëse ndokush është intervistuar ndonjëherë në zyrën e Kryeministrit. Situata të tilla s’kemi pasë”, tha ndër të tjera ai