Analisti politik Nexhmedin Spahiu, për FrontOnline ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do ta formojë e vetme Qeverinë dhe se në këtë fazë politike nuk pritet ndonjë koalicion qeverisës.
Sipas tij, fokusi kryesor tashmë është zhvendosur te procesi i zgjedhjes së presidentit dhe testimi i qëndrimeve të partive politike për tejkalimin e një bllokade të mundshme institucionale.
Spahiu thekson se kryeministri Albin Kurti është duke e matur gatishmërinë e spektrit politik për çështjen e presidentit, ndërsa roli i tij në këtë proces mbetet vendimtar.
“LVV do ta formojë qeverinë e vetme. Për punën e Presidentit/es Albini është duke e testuar pulsin e partive politike”, ka deklaruar Spahiu.
Ai vlerëson se, pavarësisht negociatave dhe konsultimeve politike, zgjedhja e presidentit nuk mund të bëhet pa pëlqimin e Kurtit, megjithatë kjo nuk nënkupton se ai do të ketë liri të plotë për të imponuar një emër të caktuar.
“Një gjë dihet. Askush nuk mund të bëhet kësaj radhe president/e kundër vullnetit të Albinit, por ndoshta nuk do të ketë mundësi që ta zgjedh këdo që do Albini”, ka theksuar ai për FrontOnline.
Sa i përket mundësisë që LVV të japë njërën nga tri pozitat kryesore të shtetit për të siguruar konsensus politik, Spahiu shprehet i prerë se rizgjedhja e presidentes aktuale nuk është në interesin politik të kryeministrit.
“Edhe një gjë dihet. Nuk është aspak interes i Albinit që Vjosa të rizgjidhet presidente”, ka përfunduar Spahiu

