Projekti i sajuar që premtoi ndryshim dhe solli shërbim për VMRO-në
VREDI u shfaq në skenën politike më shumë se dy vite më parë si një subjekt i stisur nga zyrat e VMRO-së, i ndërtuar mbi pakënaqësitë e shpërndara nga parti të ndryshme: ish-integristë të zhgënjyer, pseudo-nacionalistë të konsumuar, ithtarë të lëvizjeve të përkohshme dhe individë që gjithmonë rreshtohen aty ku shohin interes.
Që në fillim, ky formacion veproi si degë funksionale e VMRO-së, duke kontribuar drejtpërdrejt në realizimin e skenarit politik të kryeministrit Mickoski. Komuna si Bervenica, Kërçova dhe Struga u “dorëzuan” politikisht, ndërsa shqiptarëve iu servir kjo si fitore dhe ndryshim.
Logoja e VREDI-t u promovua si simbol i një epoke të re. Premtimet ishin të mëdha: brenda gjashtë muajve në qeveri do të ndodhnin ndryshime kushtetuese, do të hapej rruga e negociatave me BE-në dhe do të hiqej përfundimisht nofka fyese “20%”, duke u zëvendësuar me emërtimin gjuha shqipe në Kushtetutë.
Sot, pas gati dy vitesh bashkëqeverisje, ndryshimi nuk shihet askund.
Përkundrazi, Mickoski ua bëri të qartë partnerëve të tij se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese pa “garanci për identitetin maqedonas”, ndërsa për shqiptarët vazhdon heshtja dhe nënshtrimi. VREDI sot flet për “ndryshime kozmetike”, duke mos pasur guxim t’i thotë hapur kryeministrit se po ua mohon shqiptarëve të njëjtin identitet që Bullgaria ia konteston maqedonasve.
Pyetja është e thjeshtë dhe brutale:
👉 A mjafton një mandat për ta bindur Mickoskin, apo do t’u duhet edhe një mandat tjetër për t’i mashtruar votuesit se “ndryshimi do të vijë herën tjetër”?
Realiteti është i qartë. Ky subjekt nuk ka si qëllim ndryshimin, por ruajtjen e pushtetit dhe përfitimet financiare që vijnë me të. Ndërkohë, militantët vazhdojnë të ushqehen me përralla për një të ardhme që nuk ka për të ardhur kurrë.
Sa kohë që shqiptarëve u shitet iluzioni i ndryshimit përmes VREDI-t, realiteti mbetet i njëjtë: nënshtrim politik, pazare pushteti dhe humbje dinjiteti.
—
Medai Shaholli

