Pas rezultatit të dobët që Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar në zgjedhjet e sotshme, ka reaguar Xhafer Tahiri, duke adresuar kritika të drejtpërdrejta ndaj drejtimit aktual të partisë.
Tahiri ka vlerësuar se kjo humbje nuk është e rastësishme, por pasojë e vendimeve të gabuara dhe e largimit të LDK-së nga njerëzit e saj dhe nga populli. Sipas tij, baza ka punuar dhe aktivistët kanë sakrifikuar, por zëri i tyre është injoruar.
“Kjo nuk është LDK-ja në të cilën jemi rritur. LDK nuk është pronë e askujt”, ka theksuar Tahiri, duke shtuar se partia duhet t’u kthehet anëtarëve, garës së ndershme dhe guximit për ndryshim.
Ai ka bërë thirrje që ata që kanë humbur të mbajnë përgjegjësi, duke theksuar se qëndron në anën e atyre që kërkojnë ndryshim të vërtetë dhe rikthimin e dinjitetit të LDK-së.

