Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, e ka cilësuar veprimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për ndarjen e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët gjatë festave të fundvitit, si një tentim për blerje vote.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Haliti ka thënë se vendimi i Kurtit vjen vetëm katër ditë para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor, dhe se qeveria në detyrë nuk ka kompetenca për të ndërmarrë veprime të tilla.
Ai ka theksuar se ndarja e mjeteve, edhe pse mund të jetë në dobi të qytetarëve, politikisht mbetet e pamoralshme dhe është praktikë që është përdorur edhe në zgjedhjet e kaluara.

“Unë mendoj se në këto kushte, veprimi duhej të procedohej më herët, pasi zgjedhjet janë vetëm katër ditë larg. Edhe sikur qëllimi të jetë i mirë, veprimi do të gjykohet politikisht si dhuratë për vota dhe jo si ndihmë për fëmijët apo pensionistët e Kosovës. Një qeveri në detyrë nuk ka kompetenca të plota dhe më së paku ka të drejtë morale për të ndërmarrë një veprim të tillë. Kjo praktikë është përdorur edhe më parë, kur u ndanë 100 euro për studentët, dhe po ndodh edhe tani. Edhe pse mund t’u bëjë mirë qytetarëve, politikisht është e pamoralshme. Ky është një tentim për blerje vote dhe nuk ka arsye tjetër,” ka thënë Haliti.
Ndryshe, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka njoftuar se do të ndahen nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët.
Në një postim në Facebook ka shkruar se mosvotimi i buxhetit nga opozita ua ka vështirësuar punën.
“Me 28 dhjetor fitojmë bindshëm dhe festojmë, pastaj me 29 dhjetor gëzohen të gjithë fëmijët e pensionistët. Sepse me fitoren tonë, Viti i Ri vjen më herët. Sikurse çdo vit, edhe sivjet kemi vendosur të mbështesim fëmijët dhe pensionistët me shtesat e fundvitit prej 100 eurove. Mosvotimi i buxhetit nga opozita na e ka vështirësuar punën tejmase, mirëpo ne e kemi bërë të pamundurën që edhe këtë vit të sigurojmë mbështetjen e fundvitit, e cila do të procedohet para natës së Vitit të Ri. Urime festat e fundvitit, dhe t’i gëzoni bashkë me familjet tuaja”, ka shkruar Kurti.

