Valton Hasani është arrestuar nga autoritetet për shkak të veprimeve të tij në rrjetet sociale, ku ka ushtruar mashtrim dhe ka dërguar kërcënime ndaj mediumit Klan Kosova.
Sipas burimeve, Hasani kishte publikuar një postim që i drejtohej direkt këtij mediumi, duke përdorur manipulim fotografik për të bërë pretendimet e tij më të besueshme. Postimi ishte shoqëruar gjithashtu me gjuhë fyese, duke e çuar situatën në një nivel të dëmshëm për reputacionin e mediumit dhe autorit të emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi.

Ndër të tjera, Hasani, i cili në profilin e tij të Facebook-ut shfaqej si admirues dhe i fiksuar pas kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, përdorte shpesh termin “Klan Serbia” në disa mesazhe, të cilat dukeshin të drejtuara ndaj udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilit i referohej si “babë”.

Për shkak të këtyre veprimeve, manipulimit të imazheve dhe përdorimit të gjuhës fyese , Valton Hasani ka përfunduar në pranga, duke u përballur me akuzat për kërcënim dhe shpifje ndaj mediumit dhe personave publikë.

Për reagimin e shpejtë të institucioneve ka reaguar edhe televizioni, i cili falënderon organet e rendit dhe ligjit dhe zotohet para shikuesve se puna do të vazhdojë gjithmonë me profesionalizëm.

Mesazhet e Hasanit pasuan një lajm të publikuar nga Klan Kosova tre ditë më parë, ku televizioni raportoi për dallaveret në konkursin e “Ibër-Lepencit”, duke iu referuar si sekserë Dejona Mihalit dhe ministres në detyrë, Artane Rizvanolli.

